Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) njofton të gjithë pronarët e pasurive të paluajtshme se, në zbatim të Ligjit nr. 85/2025, kanë mundësi të kryejnë rivlerësimin e pronës së tyre me vlerën aktuale të tregut deri më 31 dhjetor 2026.
Sipas njoftimit, ky proces u jep qytetarëve mundësinë të përditësojnë vlerën e pasurisë dhe të sigurojnë që tatimi të përllogaritet mbi bazën e çmimeve reale të tregut. Rivlerësimi mund të kryhet në dy mënyra: përmes një eksperti të licencuar për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme ose përmes drejtorive vendore të Agjencia Shtetërore e Kadastrës, sipas çmimeve minimale fiskale në fuqi.
Tatimi i rivlerësimit është 5% e diferencës midis vlerës së përftuar nga rivlerësimi dhe vlerës së zbritshme sipas aktit të fundit të regjistruar në ASHK, si kontratë shitjeje, trashëgimie, dhurate, heqje dorë apo rivlerësim i mëparshëm. Për ndërtesat merret për bazë çmimi i referencës, ndërsa për tokën përdoret çmimi sipas hartës së vlerave.
Të gjitha kërkesat për rivlerësim duhet të dorëzohen brenda afatit ligjor, jo më vonë se 31 dhjetor 2026.
Aplikimi kryhet online përmes portalit e-Albania, duke zgjedhur shërbimin “Rivlerësimi i pasurisë” dhe duke shtuar shërbimin “Lëshim kopje kartele të pasurisë së paluajtshme”. Në rastet kur rivlerësimi është kryer nga ekspert i licencuar, qytetari duhet të bashkëngjisë aktin e vlerësimit dhe kopjen e licencës së ekspertit.
Procesi përfshin: identifikimin në portal, përzgjedhjen e shërbimit përkatës, konfirmimin e të dhënave të aplikantit, përzgjedhjen e pasurisë që do të rivlerësohet, ngarkimin e dokumenteve (kur kërkohet), zgjedhjen e drejtorisë vendore që administron zonën ku ndodhet pasuria dhe dërgimin e aplikimit.
Tarifa e shërbimit varet nga shuma e tatimit që rezulton nga rivlerësimi:
• Për tatim deri në 150,000 lekë – tarifa 3,500 lekë;
• Për tatim nga 150,001 deri në 300,000 lekë – tarifa 7,000 lekë;
• Për tatim mbi 300,001 lekë – tarifa 10,000 lekë.
Pas përllogaritjes ose verifikimit të rivlerësimit, ASHK përcakton tarifën përkatëse dhe e përfshin në faturë. Fatura i dërgohet qytetarit në profilin e tij në e-Albania dhe pagesa mund të kryhet online ose pranë postës apo bankave të nivelit të dytë.
Në rastin e një apartamenti 47 m² të privatizuar në vitin 1994, me vlerë të përditësuar sipas referencës 2026 prej 3,155,110 lekësh dhe vlerë historike 783,208 lekë, tatimi i rivlerësimit rezulton rreth 118,595 lekë.
Ndërsa për një banesë 138 m² me 500 m² truall, me vlerë aktuale 53,349,324 lekë dhe vlerë sipas kontratës 40,000,000 lekë, tatimi rezulton rreth 667,466 lekë.
Formula e përllogaritjes është:
(Vlera aktuale sipas referencës – Vlera e blerjes) × 5%.
Nëse prona është privatizuar, merret kostoja historike e regjistruar në kadastër; nëse është blerë me kontratë, merret vlera e kontratës së fundit të regjistruar.
ASHK fton të gjithë pronarët që të informohen dhe të aplikojnë brenda afatit, duke shmangur vonesat dhe penalitetet e mundshme pas përfundimit të periudhës së rivlerësimit. /ekofin.al
