Ndërsa deepfake-et po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, shuma e parave që humbet nga mashtrimet online u rrit ndjeshëm në vitin 2025.
Interneti është i mbushur me premtime: nga skemat që thonë se do t’i “bëjnë përdoruesit të pasur shpejt”, te aplikacionet e takimeve që pretendojnë se gjejnë partnerin perfekt me vetëm disa klikime, dhe ofertat e lira për pushime idilike.
Por me të gjitha këto mundësi vjen edhe rreziku për t’u mashtruar, dhe ndërsa deepfake-et po bëhen gjithnjë e më të avancuara, shuma e parave të humbura nga mashtrimet online po rritet vazhdimisht.
Sipas një studimi të ri nga kompania e sigurisë kibernetike SkyShark, skemat e mashtrimit dhe të fraudës të lidhura me deepfake mashtruan njerëzit për rreth 1.1 miliardë dollarë (930 milionë euro) në mbarë botën në vitin 2025. Kjo është tri herë më shumë se rreth 304 milionë euro në vitin 2024.
Më shumë se 80% e këtyre humbjeve ndodhën në rrjetet sociale, me Facebook, WhatsApp dhe Telegram si platformat më të synuara.
Mashtrimet më fitimprurëse me deepfake përfshinin elemente video dhe audio për të imituar persona të famshëm të showbiz-it deri te drejtues biznesi dhe financiarë, me qëllim promovimin e investimeve mashtruese.
Në vitin 2025, as politikanët europianë nuk ishin të imunizuar ndaj këtyre skemave. Për shembull, një video deepfake manipuloi një fjalim të Presidentit të Polonisë, Karol Nawrocki, duke e bërë të dukej sikur ai po promovonte një platformë investimi mashtruese.
Në një tjetër deepfake që u përhap gjatë verës, Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, i bëri thirrje publikut të regjistrohej në një platformë investimi, duke detyruar organizatat për mbrojtjen e konsumatorit të japin alarmin për videon false.
Mashtrimet romantike, ku mashtruesit përdorin video dhe audio realiste për të ndërtuar marrëdhënie romantike të rreme me viktimat, janë gjithashtu në rritje. Pasi mashtruesit bindin viktimat se janë në një lidhje reale, zakonisht u kërkojnë para për procedura mjekësore që pretendohet se janë urgjente. Mashtruesit romantikë gjithashtu i përfshijnë viktimat në skema investimi mashtruese.
Në Francë, historia e një gruaje u bë virale në fillim të vitit 2025, pasi ajo zbuloi se ishte mashtruar duke rënë në dashuri me një burrë që ajo besonte se ishte Brad Pitt.vNë realitet, ajo ishte mashtruar nga një rrjet i sofistikuar mashtruesish, të cilët e bindën se ylli i Hollywood-it ishte rëndë i sëmurë dhe kishte nevojë për para për trajtime mjekësore, duke e bërë të jepte më shumë se 800,000 euro.
Ndërsa mashtruesit romantikë veprojnë globalisht, ekzistojnë qendra rajonale në Afrikën Perëndimore (veçanërisht në Nigeri dhe Gana), si dhe në Azinë Juglindore, përfshirë Kamboxhian, Mianmarin dhe Filipinet./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
