Fermerët dhe të vetëpunësuarit në bujqësi përfitojnë nga një mundësi e re për të rregulluar detyrimet e prapambetura ndaj skemës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, pas miratimit nga Kuvendi të Ligjit nr. 86/2025 “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe e detyrimeve të pagueshme në doganë”.
Ligji, i miratuar më 12 dhjetor 2025, në nenet 5 dhe 6 të tij parashikon shuarjen e dënimeve administrative, konkretisht gjobave dhe kamatëvonesave, edhe për kategorinë e të vetëpunësuarve në bujqësi, duke krijuar një lehtësi të konsiderueshme financiare për këtë segment.
Sipas pikës 3 të nenit 5, shuhen plotësisht gjobat dhe kamatëvonesat për sigurimet shoqërore e shëndetësore që u përkasin periudhave tatimore deri më 31 dhjetor 2014, të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit, përfshirë edhe të vetëpunësuarit në bujqësi. Përjashtim bën vetëm kontributi bazë, i cili duhet të paguhet.
Ndërkohë, pika 5 e nenit 6 parashikon shuarjen e gjobave dhe kamatëvonesave për periudhën nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2024, me kusht që të paguhet 100% e kontributit përkatës brenda datës 31 dhjetor 2026. Pra, fermerët që kanë detyrime për këtë periudhë, mund të përfitojnë faljen e penaliteteve nëse shlyejnë të gjithë kontributin brenda afatit të përcaktuar.
Në thelb, kjo do të thotë se kontributet për sigurimet shoqërore të të vetëpunësuarve në bujqësi, që nga hyrja në fuqi e ligjit nr. 7703/1993, nga data 1 tetor 1993 deri më 31 dhjetor 2024, mund të paguhen pa kamatëvonesa.
Masa e kontributit vjetor përcaktohet sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 653, datë 22.07.2015, dhe ndryshon sipas zonës gjeografike:
– Për zonat fushore: 38,400 lekë në vit
– Për zonat malore: 29,400 lekë në vit
Kjo do të thotë se për çdo vit të papaguar brenda periudhës së sipërpërmendur, fermerët do të paguajnë vetëm shumën bazë të kontributit, pa penalitete shtesë.
Ligji 86/2025 vjen në vijim të një sërë masash që synojnë pastrimin e detyrimeve të vjetra tatimore dhe lehtësimin e barrës financiare për individët dhe bizneset. Për sektorin e bujqësisë, kjo ndërhyrje konsiderohet veçanërisht e rëndësishme, pasi një pjesë e konsiderueshme e fermerëve kanë pasur vështirësi në shlyerjen e kontributeve ndër vite, duke akumuluar kamatëvonesa të larta.
Nga ana tjetër, përfitimi nga kjo skemë i jep mundësi fermerëve të formalizojnë situatën e tyre kontributive, çka ndikon drejtpërdrejt në të drejtat për pension, përfitime shëndetësore dhe mbrojtje sociale.
Afati kyç për periudhën 2015–2024 është 31 dhjetori 2026. Pas kësaj date, në mungesë të një ndërhyrjeje tjetër ligjore, detyrimet e papaguara do të vijojnë të trajtohen sipas rregullave të zakonshme, me penalitetet përkatëse.
Për fermerët që kanë vite të tëra të papaguara, kjo përbën ndoshta mundësinë më të favorshme në dekadat e fundit për të mbyllur detyrimet e vjetra dhe për të hyrë në skemën e sigurimeve pa barrën e kamatëvonesave të akumuluara ndër vite. /ekofin.al
