Në fund të vitit 2025, stoku i borxhit të Qeverisë Qendrore, përfshirë edhe borxhin e garantuar, arriti në 1,401,538 milionë lekë (rreth 1.4 trilionë lekë), sipas Buletinit Statistikor të Borxhit – 31 Dhjetor 2025.
Krahasuar me fundin e vitit 2024, kur borxhi ishte 1,364,983 milionë lekë, kemi një rritje nominale prej rreth 36.6 miliardë lekësh. Megjithatë, në raport me ekonominë, pesha e borxhit ka vijuar trajektoren rënëse.
Sipas të njëjtit burim, raporti borxh/PBB në fund të vitit 2025 zbriti në 53.04%, nga 54.21% në 2024 dhe 57.64% në 2023.
Kjo tregon se, megjithëse stoku nominal i borxhit është rritur lehtë, zgjerimi i PBB-së ka qenë më i shpejtë, duke sjellë ulje të mëtejshme të barrës së borxhit ndaj ekonomisë.
Në terma historikë, kjo është një përmirësim i ndjeshëm nga nivelet e pas pandemisë, kur raporti borxh/PBB arriti mbi 74% në vitet 2020–2021.
Në fund të 2025:
• Borxhi i brendshëm arriti në 831,888 milionë lekë
• Borxhi i jashtëm në 569,661 milionë lekë 
Si përqindje ndaj PBB-së:
• Borxhi i brendshëm: 31.48% e PBB-së
• Borxhi i jashtëm: 21.56% e PBB-së
Kjo strukturë konfirmon orientimin e viteve të fundit drejt financimit më të madh në tregun e brendshëm, duke ulur ekspozimin ndaj kursit të këmbimit dhe tregjeve ndërkombëtare.
Në fakt, sipas treguesve të riskut, pesha e borxhit në monedhë të huaj ka zbritur në 40% të stokut total në 2025, nga 41.9% në 2024 dhe 45.6% në 2023.
Një element që kërkon vëmendje është rritja e shërbimit të borxhit gjatë vitit 2025.
• Shërbimi total i borxhit arriti në 145,027 milionë lekë
• Nga këto, 54,692 milionë lekë ishin interesa
• 90,336 milionë lekë principal i borxhit të jashtëm 
Shërbimi total i borxhit përbënte 5.49% të PBB-së, në rritje nga 3.77% një vit më parë.
Kjo rritje lidhet kryesisht me pagesa më të larta të principalit të borxhit të jashtëm gjatë vitit.
Në terma makrofiskalë, viti 2025 konsolidon një prirje pozitive të uljes së peshës së borxhit ndaj ekonomisë, por me koston e një presioni më të lartë pagesash gjatë vitit. Sfida për vitet në vijim do të mbetet ruajtja e këtij trendi rënës, në një mjedis me norma interesi ende relativisht të larta në tregjet ndërkombëtare. /ekofin.al
