Genci Tërpo, me profesion avokat, së fundmi këshilltar ligjor i ministres së energjetikës dhe infrastrukturës, është emëruar “pa shumë bujë” në krye të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), mëson Ekofin.al. Prezantimi i tij është bërë nga Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Erlind Sulo, në ambientet e institucionit, i cili përpara marrjes së detyrës së zëvendësit të Ballukut kishte shërbyer më parë në krye të AKBN.
Z. Tërpo sjell mbi 20 vite eksperiencë profesionale dhe akademike, të ndara mes sektorit publik, shoqërisë civile dhe praktikës ligjore. Një nga rolet në karrierën e tij ka qenë drejtimi i Sekretariatit Kombëtar të EITI Albania, ku ai udhëhoqi procesin e përputhshmërisë së Shqipërisë me standardet globale të transparencës në industrinë nxjerrëse. Në një sektor ku të ardhurat publike, koncesionet dhe marrëveshjet ndërkombëtare janë shpesh në qendër të debatit publik, kjo eksperiencë konsiderohet me rëndësi për drejtimin e AKBN-së.
Përvoja e tij përfshin gjithashtu funksione të rëndësishme në administratën shtetërore, si këshilltar ligjor i Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, me fokus në sektorin e transportit dhe minierave, si dhe ndjekjen e marrëveshjeve ndërkombëtare. Ai ka shërbyer edhe si zëvendës komisioner në Avokati i Popullit, duke u angazhuar në çështje që lidhen me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore.
Në planin profesional, z. Tërpo ka ushtruar profesionin e avokatit, duke përfaqësuar çështje në gjykatat e të gjitha niveleve në Shqipëri dhe në Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Ai ka qenë gjithashtu lektor për të Drejtën Administrative në Fakultetin e Drejtësisë.
Emërimi i tij vjen në një moment kur sektori i burimeve natyrore përballet me sfida të shumta: rritjen e standardeve të transparencës, forcimin e mbikëqyrjes mbi kontratat minerare dhe hidrokarbure, si dhe balancimin mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit. /ekofin.al
