Është shkarkuar nga posti Mirlinda Karçanaj, e cila deri më tani ka udhëhequr Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Mësohet se vendin e saj do e zërë Igli Tafa. Ky i fundit, që prej tetorit 2022, mbante detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike njëkohësisht Koordinator Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.
Karçanaj ndodhet aktualisht në “arrest shtëpie”, pasi u mor e pandehur nga SPAK për abuzime me tenderat e agjencisë që drejtonte. Ajo akuzohet për “Shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike“, “Grup i strukturuar kriminal“ dhe “Kryerje veprash nga organizata kriminale”.
Ishte data 16 dhjetor 2025, kur Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion lëshoi 8 masa sigurie, për abuzim me tenderat e AKSHI-t.
Përpos Karçanajt, në “arrest shtëpie” u la edhe Hava Delibashi (numri dy i agjencisë), ndërsa masë më e shtrënguar sigurie u caktua për tre biznesmenë. Pjesë e së njëjtës dosje, zëvendësdrejtori i policisë Tiranë, Erjon Ismaili, u pezullua nga detyra.
Nën hetim janë administratorë të disa kompanive të cilët me veprime të kundërligjshme, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë marrë pjesë formalisht në procedura tenderimi, kanë lëshuar fatura tatimore fiktive si dhe kanë realizuar transaksione kundrejt kompanive të cilat nuk ishin pjesë e procesit të tenderimit.
Shtetasit e dyshuar, ka sqaruar Prokuroria e Posaçme, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë kryer veprime të kundërligjshme, konkretisht në përcaktimin e kritereve specifike jo të përcaktuara në ligj, për favorizimin e disa kompanive kundrejt të tjerave.
Në kuadër të veprimtarisë së “Grupit të strukturuar kriminal”, ata kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, kësisoj, duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara, për të cilat shqyrtimi i ankimimit mund të sillte edhe ndryshimin e renditjes së listës së fituesve.
Megjithatë, për kryeministrin Edi Rama, “gjithë zhurma histerike nuk e zhbën dot rezultatin fantastik në fushën digjitale të veprimtarisë së AKSHI-t!”.
“Linda Karçanaj, gruaja që ka udhëhequr projektin për transformimin digjital të Shqipërisë për 12 vjet me radhë, gjendet nën një akuzë të hatashme, për të cilën duhet pritur me durim vetëm nga drejtësia, jo nga 700 tenxheret e çorbës politike dhe mediatike, derisa të dalë e plotë e vërteta e saj.
Falë saj dhe skuadrës së AKSHI-t, Shqipëria ka bërë një kapërcim të madh krahasuar me vitin 2022, jo vetëm renditemi në grupin A me maturitet të lartë, me 0.939% nga 1 maksimumi. Këtë vit kemi kaluar nga vendi i 68-të, në vendin e 14-të mes gjithë atyre vendeve, pikërisht falë punës për ta vënë teknologjinë në shërbim të publikut. Ky është një raport objektiv dhe profesional“, ka deklaruar më herët kreu i qeverisë.
Po kush është drejtori i ri i AKSHI-t?

Igli Tafa është lindur në Tiranë më 16 qershor 1979. Ai është i martuar dhe ka 2 fëmijë.
Ka përfunduar studimet në Universitetin Politeknik të Tiranës, në inxhinierinë e rrjetit dhe sigurinë e informacionit.
Pas kualifikimit me doktoraturë në Sistemet e Virtualizimit në Shkencat Kompjuterike në vitin 2013, ka fituar një sërë certifikimesh ndërkombëtare kryesisht në fushën e sigurisë së informacionit.
Tafa ka një karrierë të larmishme akademike duke shërbyer si lektor në Universitetin Politeknik të Tiranës në fushën e teknologjisë dhe informacionit. Që prej tetorit 2022, ai ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike njëkohësisht Koordinator Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.
