Inflacioni në Shqipëri është rikthyer në një trajektore lehtësisht rritëse në fillim të vitit 2026. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, norma vjetore e inflacionit e matur me Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK) arriti në 2,3% në muajin janar 2026, nga 1,9% që ishte në janar të një viti më parë. Krahasuar me dhjetorin 2025, çmimet e konsumit u rritën me 0,4%, duke sinjalizuar një presion të moderuar në nisje të vitit.
Në terma vjetorë, rritja e çmimeve është ndikuar kryesisht nga grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera”, i cili dha kontributin më të madh në inflacion me +0,87 pikë përqindje. Ky grup, që zë mbi 20% të peshës në shportën e konsumit, shënoi një rritje vjetore prej 4,4%, duke reflektuar kostot e larta të strehimit dhe energjisë për familjet shqiptare.
Në vend të dytë për nga ndikimi renditet grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me +0,61 pikë përqindje kontribut në inflacionin total dhe një rritje vjetore prej 1,8%. Duke qenë se ky grup përbën 34,1% të shportës së IÇK-së, çdo lëvizje e çmimeve të ushqimeve ka efekt të drejtpërdrejtë në buxhetin e familjeve.

Rritje të ndjeshme vjetore shënuan edhe “Argëtim, sport dhe kulturë” me 4,9%, “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4,4%, si dhe “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,7%. Ndërkohë, “Restorante dhe shërbime akomodimi” u rritën me 2,4%, ndërsa “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 2,0%.
Në planin mujor, krahasuar me dhjetorin 2025, rritja më e fortë e çmimeve u regjistrua në grupin “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4,2%, një lëvizje e pazakontë që mund të lidhet me rishikime tarifash apo prime sigurimi në fillim viti. Po ashtu, “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 1,1%, ndërsa “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,7%. Nga ana tjetër, grupi “Veshje dhe këpucë” shënoi ulje mujore me 0,5%, i ndjekur nga “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me -0,4% dhe “Restorante dhe shërbime akomodimi” me -0,1%.
Struktura e inflacionit tregon se presionet kryesore vijojnë të vijnë nga komponentët bazë të konsumit – strehimi dhe ushqimet – ndërsa rritjet në shërbimet financiare dhe ato të argëtimit sugjerojnë edhe një zgjerim të presioneve në sektorin e shërbimeve.
Me një nivel prej 2,3%, inflacioni mbetet brenda intervalit të synuar nga Banka e Shqipërisë, por dinamika mujore e janarit tregon se presionet nuk janë zhdukur plotësisht. Ecuria e çmimeve në muajt në vijim do të jetë vendimtare për të kuptuar nëse ky është një efekt sezonal i fillimvitit apo një sinjal i një tendence të re rritëse gjatë 2026. /ekofin.al
