Presidenti i gjigandit të teknologjisë, Cisco, Jeetu Patel, zbulon se kompania ka ndërtuar produktin e saj të parë me kod 100% të gjeneruar nga inteligjenca artificiale dhe paralajmëron se agjentët e AI që veprojnë si “bashkëpunëtorë digjitalë” do të kenë nevojë për kontrolle të së kaluarës dhe investime miliardëshe në siguri për të shmangur daljen e tyre jashtë kontrollit.
Gjiganti teknologjik Cisco po paraqet një vizion të guximshëm për inteligjencën artificiale (AI), jo vetëm si një mjet korporativ, por edhe si një domosdoshmëri ekzistenciale që do të ndryshojë mënyrën se si punojmë.
Në një deklaratë mbresëlënëse në një Samit të fundit të AI në Amsterdam, presidenti i Cisco-s, Jeetu Patel, i tha Euronews Next se kompania tashmë ka zhvilluar një produkt që është shkruar 100% me kod të gjeneruar nga AI.
“Deri në fund të vitit 2026, do të kemi të paktën gjysmë duzine produktesh të shkruara vetëm me AI,” tha ai.
I pyetur se çfarë do të thotë kjo për fatin e programuesve, ai këshilloi:
“Mos u shqetësoni se AI do t’ju marrë punën, por shqetësohuni se dikush tjetër do ta përdorë AI-n më mirë se ju dhe do t’jua marrë patjetër punën. Ne nuk do të kemi zhvillues në Cisco që nuk e zgjedhin AI-n si një zakon bazë.”
Patel tha se, duke kaluar nga zhvillimi tradicional “agile” te zhvillimi i drejtuar nga specifikimet (spec-driven development), Cisco pretendon se mund të reduktojë një ekip nga tetë persona në tre, të plotësuar nga pesë agjentë digjitalë, duke trefishuar prodhimin.
Çelësi i kësaj janë agjentët e AI, sisteme që përpiqen të planifikojnë dhe të përfundojnë detyra dhe të zgjidhin probleme me ndërhyrje minimale njerëzore. Për shembull, një agjent AI mund të hartojë dhe planifikojë email-e ose të organizojë udhëtime.
Megjithatë, në këtë paradigmë të re, programuesit njerëzorë do të duhet ende të rishikojnë kodin.
Patel gjithashtu sfidoi idenë e “Human-in-the-loop”, pra integrimin e kontributit njerëzor në sistemet e AI dhe mësimit makinerik.
Sipas tij, duhet ndryshuar këndvështrimi në “AI në çdo cikël”, në mënyrë që agjentët e AI të shihen si bashkëpunëtorë digjitalë dhe jo thjesht si mjete.
Agjentët e AI që “dalin jashtë kontrollit”
Pavarësisht optimizmit për AI-n, drejtuesi tha se nuk është i verbër ndaj rreziqeve dhe ngriti alarmin për sigurinë dhe mbrojtjen e këtyre sistemeve.
“Ajo që më mban zgjuar natën është siguria dhe mbrojtja. Është shumë e rëndësishme të mos i shohim gjërat me syze rozë dhe të mos injorojmë pasojat negative të AI-së,” tha ai.
“Këta agjentë që do të punojnë në emrin tonë duhet t’i nënshtrohen kontrolleve të së kaluarës, ashtu siç ndodh me një punonjës,” shtoi Patel.
Ai tha se Cisco po investon miliarda dollarë në sisteme sigurie për të përballuar dy sfida: mbrojtjen e agjentëve të AI nga sulmet dhe mbrojtjen e botës nga agjentët që “dalin jashtë kontrollit”.
“Duhet ta mbrojmë agjentin nga bota… dhe botën nga agjenti,” u shpreh ai.
Kompania po pozicionohet si infrastrukturë kritike për epokën e AI-së, duke ndërtuar atë që presidenti e quan një qasje “full stack”, nga çipat deri te aplikacionet.
Duke ndërtuar gjithçka, nga silikoni (ASIC) te softueri dhe platformat e menaxhimit, Cisco synon të jetë “infrastruktura kritike” e epokës së AI-së.
“Kur ndërtojmë harduerin në bashkëpunim me softuerin… papritur mund të krijosh shumë ‘magji’, sepse gjithçka funksionon mirë së bashku,” shpjegoi ai.
Duke parë nga e ardhmja, Patel argumenton se rritja e produktivitetit, sado e rëndësishme, nuk është çmimi përfundimtar.
“Gjëja më e madhe janë njohuritë origjinale që gjeneron AI dhe që nuk ekzistojnë sot në korpusin e dijes njerëzore, duke na lejuar të zgjidhim probleme që as nuk i kishim imagjinuar më parë,” tha ai, duke përmendur përparime të mundshme në luftën kundër sëmundjeve, varfërisë, në shëndetësi dhe energji. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al
