Qeveria ka nxjerrë për konsultim publik një projektvendim të ri që synon të riformatojë mënyrën se si përfshihet publiku në vendimmarrjen për çështjet mjedisore, duke vendosur rregulla më të detajuara dhe afate të qarta për transparencën dhe pjesëmarrjen qytetare. Projektvendimi “Për tërheqjen e mendimit të publikut në vendimmarrjen për planet, programet, strategjitë dhe projektaktet normative në fushën e mjedisit” vjen në zbatim të Konventës së Aarhusit dhe ligjit “Për mbrojtjen e mjedisit”, me synimin për të harmonizuar kuadrin kombëtar me standardet evropiane.
Sipas draftit, qëllimi kryesor është garantimi i pjesëmarrjes së gjerë, të informuar dhe efektive të publikut në procesin e hartimit, rishikimit dhe miratimit të dokumenteve strategjike dhe akteve normative me ndikim në mjedis. Projektvendimi parashikon akses në informacion që në fazat e hershme të vendimmarrjes, procedura të unifikuara për njoftimin dhe konsultimin, si dhe detyrimin e autoriteteve publike për të dokumentuar shqyrtimin e komenteve të marra.
Një nga risitë thelbësore lidhet me detyrimin që strategjitë, planet dhe programet në fusha kyçe si ndryshimet klimatike, menaxhimi i ujërave, cilësia e ajrit, biodiversiteti, kimikatet, mbetjet apo zhurma, t’i nënshtrohen procesit të konsultimit publik. Njoftimi duhet të qëndrojë i publikuar për 30 ditë kalendarike në faqen zyrtare të autoritetit, në regjistrin elektronik të konsultimit publik dhe, kur është e nevojshme, edhe në forma të tjera për të arritur audiencat pa akses online. Afati për dhënien e mendimeve nuk mund të jetë më pak se 30 ditë, ndërsa takimi publik duhet të organizohet jo më herët se 10 ditë nga publikimi i njoftimit.
Drafti vendos një standard të qartë: asnjë plan, program apo strategji nuk mund të miratohet nëse nuk është konsultuar me publikun dhe nëse nuk është dokumentuar shqyrtimi i komenteve. Kjo përforcon elementin e llogaridhënies dhe shmang praktikat formale të konsultimeve pa ndikim real në përmbajtje.
Një kapitull i veçantë i kushtohet projektakteve normative në fushën e mjedisit. Ministria përgjegjëse duhet të publikojë paraprakisht programin vjetor analitik të projektakteve që do të hartohen. Për çdo projektakt, njoftimi shoqërohet me draftin dhe relacionin përkatës, ndërsa afati minimal për paraqitjen e komenteve është 10 ditë pune, me mundësi zgjatjeje deri në 30 ditë pune për akte komplekse. Komentet e paraqitura në regjistrin elektronik të konsultimit publik kanë të njëjtën vlefshmëri si ato të dhëna në takime fizike.
Projektvendimi parashikon gjithashtu të drejtën e ankimit, si në kuadër të legjislacionit për konsultimin publik, ashtu edhe në gjykatë brenda tre viteve nga hyrja në fuqi e aktit të miratuar, në rast se konsiderohet se janë cenuar të drejtat për njoftim dhe pjesëmarrje.
Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi do të shfuqizohet VKM nr. 994/2008 “Për tërheqjen e mendimit të publikut në vendimmarrje për mjedisin”, duke zëvendësuar një kuadër rregullator të miratuar para afro dy dekadash me një model më të strukturuar dhe të përafruar me acquis communautaire.
Në thelb, drafti synon të kalojë nga një konsultim formal në një proces real bashkëvendimmarrjeje, ku publiku, organizatat mjedisore dhe grupet e interesit të kenë jo vetëm të drejtën për t’u informuar, por edhe mundësinë konkrete për të ndikuar në politikat dhe aktet që prekin mjedisin. /ekofin.al
