Aksionet e fundit të Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) ndaj subjekteve ekonomike që ushtrojnë aktivitetin nga banesa, për shkak të kontratave familjare të energjisë, kanë rikthyer në vëmendje një problem të kahershëm të kuadrit ligjor shqiptar: trajtimin e selisë së biznesit si domosdoshmërisht një hapësirë fizike, pavarësisht realitetit të sotëm të tregut të punës.
Sipas audituesit ligjor Julian Saraçi, situata e krijuar nuk lidhet me shmangie detyrimesh, por me mungesë përshtatjeje të ligjit me format moderne të ushtrimit të aktivitetit ekonomik. “Një pjesë e konsiderueshme e profesionistëve të lirë dhe bizneseve të vogla ushtrojnë aktivitetin pa pasur nevojë për ambient fizik, pa klientë në terren dhe pa konsum shtesë energjie. Megjithatë, ligji vijon t’i trajtojë këto subjekte sikur të ishin biznese klasike me zyra apo punishte,” shprehet Saraçi.
Në praktikë, shumë subjekte kanë deklaruar adresën e banesës si seli, thjesht për të përmbushur një kërkesë formale ligjore. Kjo ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta, sidomos në raport me energjinë elektrike, ku bizneset janë përballur me kërkesa për tarifa tregtare, pavarësisht se aktiviteti i tyre nuk gjeneron konsum apo ndikim real në rrjet.
“Ky është një penalizim administrativ për një formë organizimi që është plotësisht legjitime dhe e përhapur në vendet e Bashkimit Evropian,” thekson audituesi ligjor, duke shtuar se aksionet e FSHU-së janë më shumë pasojë e një boshllëku ligjor sesa një problem i zbatimit të rregullave.
Si zgjidhje, Saraçi propozon njohjen ligjore të konceptit të “selisë fiskale si shërbim” dhe të adresës virtuale të biznesit, përmes ndryshimeve në ligjin për procedurat tatimore, ligjin e fiskalizimit dhe ligjin e TVSH-së. “Selia fiskale nuk duhet të barazohet automatikisht me një ambient pune. Ajo mund të jetë thjesht një adresë zyrtare për komunikim administrativ dhe tatimor, e ofruar si shërbim nga subjekte të licencuara,” shpjegon ai.
Paralelisht, njohja e adresës virtuale do t’u mundësonte subjekteve që nuk kërkojnë prani fizike të regjistrohen dhe të operojnë ligjërisht, pa u detyruar të mbajnë zyra fiktive apo të përballen me kosto të panevojshme. “Adresa virtuale do të ishte një zgjidhje proporcionale, që garanton formalizim dhe transparencë, pa krijuar barriera artificiale për biznesin,” vlerëson Saraçi.
Sipas tij, ky shërbim mund të administrohet edhe në mënyrë të centralizuar përmes platformës e-Albania. “Një ‘Postë Fiskale’ dixhitale do të siguronte komunikim zyrtar të gjurmueshëm mes shtetit dhe biznesit, duke eliminuar nevojën për prani fizike dhe duke rritur sigurinë juridike,” shton audituesi ligjor.
Në thelb, debati nuk është nëse bizneset duhet të paguajnë detyrimet e tyre, por nëse ligji duhet të jetë proporcional dhe i përshtatur me realitetin ekonomik. “Nëse synojmë formalizim real dhe ekonomi dixhitale, nuk mund të vazhdojmë të kërkojmë zyra dhe kontrata energjie biznesi për aktivitete që funksionojnë tërësisht online,” përfundon Saraçi. /ekofin.al
