Këshilli i Ministrave ka miratuar rritjen me 2.5% të pagës referuese bazë për gjyqtarët dhe prokurorët, në kuadër të indeksimit vjetor të pagave në sektorin publik. Vendimi synon përmirësimin e trajtimit financiar të sistemit të drejtësisë dhe forcimin e pavarësisë institucionale.
Pas këtij indeksimi, paga referuese bazë për gjyqtarët dhe prokurorët arrin në 156,825 lekë në muaj, ndërsa efekti financiar do të përballohet nga buxheti i shtetit për vitin 2026.
Në të njëjtën mbledhje, Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka miratuar edhe rritjen me 2.5% të pagës së Presidentit të Republikës, e cila pas përditësimit arrin në 435,625 lekë në muaj.
Vendimet e miratuara nuk kufizohen vetëm te drejtësia dhe institucionet e larta shtetërore. Qeveria ka aprovuar gjithashtu përditësime të strukturave të pagave për disa kategori të tjera përfshirë Gardën e Republikës, Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në masën 2.5 %, koordinatorët kundër korrupsionit, punonjësit mbështetës dhe specialistët e ndryshëm në administratë, si edhe personelin e sistemit shëndetësor.
Përveç indeksimit të përgjithshëm, në disa sektorë parashikohen edhe rregullime të veçanta në shtesat dhe kompensimet, me qëllim përshtatjen e pagave me përgjegjësitë dhe kushtet e punës.
Sipas vendimit, masat e reja do të hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe do të kenë efekt financiar nga data 1 janar 2026.
