Kriptomonedha më e famshme në botë ka rënë me 44% nga kulmi i saj në tetor, duke zbritur nën 70,000 dollarë të enjten për herë të parë pas 15 muajsh.
Kjo rënie, në fakt, nuk është aspak e pazakontë. Kriptomonedhat njihen për luhatshmëri të lartë dhe kanë kaluar shumë herë përmes krizave edhe më të mëdha se kjo.
Ajo që është e çuditshme është kjo: rënia katërmujore e Bitcoin-it ka ndodhur në një kohë kur, teorikisht, ai kishte gjithçka në favorin e vet.
Prej kohësh, mbështetësit e kriptomonedhave kanë këmbëngulur që investitorët ta trajtojnë Bitcoin-in si “arin digjital”, një strehë të sigurt ku mund të ruhen fondet në kohë të vështira.
Pra, tani do të ishte një moment logjik që një investim i tillë i sigurt të rritej.
Gjeopolitika është tensionuar këtë vit: Presidenti Donald Trump po kërcënon të sulmojë Iranin pasi Shtetet e Bashkuara hoqën liderin e Venezuelës. Presidenti amerikan ka sulmuar së fundmi edhe aleatët në Evropë dhe Kanada për çështjen e Groenlandës dhe po kërcënon me tarifa më të larta ndaj Koresë së Jugut.
Ndërkohë, përparime të mëdha në inteligjencën artificiale po i shqetësojnë investitorët në bursë. Claude i kompanisë Anthropic tani mund të kryejë detyra për firma ligjore, duke shkaktuar rënie të aksioneve të kompanive të softuerit.
Treguesit e frikës po japin sinjale paralajmëruese. Indeksi “Fear and Greed” i CNN është fort në zonën e “frikës”, ndërsa indeksi i paqëndrueshmërisë VIX arriti për pak kohë nivelin më të lartë që nga nëntori, kur tregu pati një mini-krizë për shkak të të dhënave ekonomike konfuze dhe fitimeve të Nvidia-s. (Ishte një kohë më e thjeshtë.)
Kjo frikë ka nxitur një rritje rekord të çmimeve të arit, i cili së fundmi kaloi 5,500 dollarë për ons. Ari është streha përfundimtare e sigurt: një pasuri relativisht e rrallë dhe e prekshme që ruan vlerën – dhe që, në rastin më të keq, mund të fshihet fjalë për fjalë nën dyshek.
Por Bitcoin nuk po ecën në të njëjtën rrugë. Ai ka humbur 20% këtë vit, pavarësisht gjithë pasigurisë. Madje, Michael Burry (“djali i Big Short”) ka shkruar së fundmi në Substack se beson se paqëndrueshmëria ekstreme e arit dhe argjendit ditët e fundit vjen sepse mbështetësit e Bitcoin-it po shesin pozicionet e tyre në metale për të kompensuar rënien e kriptomonedhave.
Rënia e Bitcoin-it do të thotë se ai ka humbur plotësisht “efektin Trump”. Investitorët në kripto e festuan fitoren e Trump-it në nëntor 2024, duke nxitur rritjen e Bitcoin-it dhe monedhave të tjera, pasi Trump përqafoi asetet digjitale që më parë i kishte refuzuar dhe premtoi të hiqte rregulloret që, sipas tij, e pengonin sektorin.
Pra, çfarë fshihet pas këtij “dimri të ri” të kriptomonedhave? Kryesisht, dyshimet se Bitcoin nuk është në të vërtetë “ari digjital”.
Bitcoin është përfshirë në klimën e përgjithshme “risk-off” në treg. Në vend që frika t’i shtyjë investitorët të blejnë, tregtarët po e shohin atë si arsye për të shitur. Divergjenca e vazhdueshme mes arit (rritur 24% që nga tetori) dhe Bitcoin-it (ulur 44%) e ka forcuar edhe më shumë këtë ndjenjë.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, nuk ndihmoi situatën të mërkurën, kur dëshmoi para Komisionit të Shërbimeve Financiare të Dhomës së Përfaqësuesve se Thesari nuk ka autoritet për të stabilizuar tregjet e kriptomonedhave.
Edhe ETF-të e Bitcoin-it nuk kanë pasur suksesin që prisnin mbështetësit e kriptos, ndërsa investimet institucionale në Bitcoin kanë rënë muajt e fundit, duke ulur vëllimin e tregtimit. Kjo ka përkeqësuar reagimet impulsive të tregtarëve të vegjël.
Megjithatë, mund të ketë dritë në fund të tunelit për investitorët e Bitcoin-it. Kjo rënie nuk është një prirje e re – kemi qenë këtu edhe më parë.
Në vitin 2014, çmimet e kriptove u shembën pas sulmit kibernetik ndaj bursës Mt. Gox. Rënia më e madhe ndodhi në vitin 2018, kur Bitcoin ra me 74%, e nxitur nga frika se vala e ofertave fillestare të monedhave ishte e ekzagjeruar. Dhe në vitet 2021 dhe 2022 pati dy kriza radhazi, pas presionit rregullator dhe skandalit FTX, që shkatërruan besimin.
Çdo herë, Bitcoin është rimëkëmbur plotësisht brenda një viti e gjysmë./Përshtati nga CNN, ekofin.al
