Grupi i Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) investoi 822 milionë euro në vitin 2025 në formë huash, garancish dhe grantesh për projekte të reja, duke mobilizuar 1.5 miliardë euro investime të reja.
Financimi do të mbështesë projekte në transport, shëndetësi, arsim dhe energji, si dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), duke kontribuar në rrugë dhe hekurudha më të sigurta, siguri më të lartë energjetike, shërbime mjekësore më të mira dhe biznese e infrastrukturë më rezistente ndaj klimës.
Grupi i Bankës Evropiane të Investimeve vazhdoi të luajë një rol kyç në avancimin e integrimit të tregut, lidhshmërisë dhe tranzicionit të gjelbër në Ballkanin Perëndimor.
Nga kjo shumë, 664 milionë euro u dhanë në formë huash dhe garancish, së bashku me 6.5 milionë euro grante investimi në kuadër të Iniciativës së Qëndrueshmërisë Ekonomike të BEI-së. Gjithashtu, 151.1 milionë euro grante të BE-së u nënshkruan përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), duke riafirmuar rolin qendror të “Team Europe” në mobilizimin e burimeve për rritjen ekonomike dhe konvergjencën rajonale.
Transporti i qëndrueshëm zuri 58% të investimeve totale, i ndjekur nga shëndetësia (20%), energjia e rinovueshme (13%) dhe arsimi (4%). Në total, financimi pritet të mobilizojë rreth 1.5 miliardë euro investime të reja.
58% e mbështetjes së BEI-së do të kontribuojë drejtpërdrejt në veprimet klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit, në përputhje me synimin për të mbështetur të paktën 1 trilion euro investime të gjelbra deri në vitin 2030. Vitin e kaluar, u miratuan 1.4 miliardë euro për projekte të reja në rajon dhe u disbursuan 610 milionë euro.
“ Në vitin 2025 pamë përparim të ndjeshëm në procesin e anëtarësimit në BE dhe integrimin e tregut sipas Planit të Rritjes së BE-së. Investimet tona shkojnë paralelisht me këto përpjekje duke përmirësuar lidhshmërinë e transportit, duke forcuar sigurinë energjetike përmes dekarbonizimit dhe diversifikimit, duke zhvilluar aftësi dhe duke mbështetur rezistencën klimatike. Gjithashtu, kemi hapur një zyrë përfaqësuese në Mal të Zi. Në vitin e ardhshëm, jemi të gatshëm të intensifikojmë mbështetjen, përfshirë projektet ndërkufitare,” tha Zëvendëspresidenti i BEI-së, Robert de Groot.
Transporti dhe infrastruktura
BEI forcoi rolin e saj si një nga financuesit kryesorë të transportit të qëndrueshëm. Në kuadër të “Team Europe”, u siguruan paketa të mëdha financimi për modernizimin e hekurudhave, përfshirë:
90.5 milionë euro për linjën Durrës–Rrogozhinë në Shqipëri
134 milionë euro për linjën Niš–Dimitrovgrad në Serbi
175 milionë euro për segmentin Bar–Golubovci në Mal të Zi
Këto projekte do të përfitojnë 207 milionë euro grante nga BE përmes WBIF. Gjithashtu, një hua prej 150 milionë eurosh do të mbështesë modernizimin e 540 km rrugë rajonale në Serbi.
Mbështetja për Korridorin Vc në Bosnje dhe Hercegovinë vazhdoi, ndërsa përmirësimet në rrugët ujore në Serbi po rrisin lundrueshmërinë e Danubit dhe tregtinë rajonale.
Siguria dhe diversifikimi energjetik
Forcimi i sigurisë energjetike mbeti prioritet. BEI nënshkroi një hua prej 103 milionë eurosh për parkun e erës Pokleçani (132 MW) në Bosnje dhe Hercegovinë. Projekti do të prodhojë 437 GWh energji në vit, duke furnizuar rreth 72 700 familje dhe duke ulur emetimet e CO₂ me 446 900 tonë në vit.
Ai plotëson projekte të tjera si parku i erës Vlašić, centrali diellor pranë Prishtinës dhe rehabilitimi i hidrocentraleve në Serbi.
“Ne mirëpresim vrullin e fortë në dekarbonizimin e sektorit energjetik dhe përmirësimin e infrastrukturës,” tha De Groot.
Mbështetja për NVM-të dhe inovacionin e gjelbër
Në Maqedoninë e Veriut, mbi 50 kompani shtuan 105 MW kapacitet energjie të rinovueshme. Në Serbi, iniciativa “BE për Agjendën e Gjelbër” ka mbështetur 94 inovacione me vlerë 52 milionë euro që nga viti 2022.
Në vitin 2025, BEI nisi Fondin për Inovacion dhe Transformim të Gjelbër, me 187 milionë euro për digjitalizim, bujqësi të qëndrueshme dhe teknologji rezistente ndaj klimës.
Fondet e Garancisë së BE-së për Rezistencën e NVM-ve mobilizuan 105 milionë euro financim, duke mbështetur rreth 375 projekte dhe 5 750 vende pune.
Arsimi, shëndetësia dhe kanalizimet
Në Mal të Zi, BEI investoi 20 milionë euro për digjitalizimin e arsimit dhe vlerësimin e mbi 800 shkollave. Shkolla “Vladimir Nazor” në Podgoricë u hap me kapacitete për 1 200 nxënës.
Në Serbi, u angazhuan 157 milionë euro për përmirësimin e qendrave klinike në Beograd, Kragujevc, Nish dhe Novi Sad. Një grant prej 35.5 milionë eurosh do të financojë rrjetin e ri të kanalizimeve në Palilula.
Në Bosnje dhe Hercegovinë, BEI vazhdoi mbështetjen për Qendrën Klinike të Banja Lukës.
Këshillimi dhe asistenca teknike
Në vitin 2025, BEI Advisory dhe JASPERS mbështetën 48 projekte aktive dhe nisën 20 të reja. Programi “Greening Financial Systems” ndihmon bankat qendrore në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë për vlerësimin e rrezikut klimatik.
U lançua gjithashtu Udhëzuesi i parë i Dekarbonizimit në Maqedoninë e Veriut dhe “Green Eligibility Checker” për kompanitë në gjithë rajonin.
