Komisioni i Prokurimit Publik ka rrëzuar ankesën e paraqitur nga një operator ekonomik ndaj procedurës së prokurimit për shërbimin e internetit dhe intranetit për institucionet publike, duke i hapur rrugë Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit që të vijojë me hapat e mëtejshëm të procedurës dhe shpalljen e fituesve.
Sipas vendimit të publikuar, Komisioni i Prokurimit Publik ka vendosur të mos pranojë ankesën e paraqitur nga operatori ekonomik “Albanian Satellite Communications” SHPK, e cila kishte të bënte me vlerësimin e ofertave nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave. Njëkohësisht, KPP ka urdhëruar vijimin normal të procedurës dhe ka ngarkuar zyrën e financës për derdhjen në buxhetin e shtetit të tarifës së ankesës së paguar nga operatori ankues.
Procedura e prokurimit ka si objekt kontrate “Shërbimi i internetit dhe intranetit për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe institucionet publike”, me një fond limit prej 486.5 milionë lekësh pa TVSH, ose rreth 4.8 milionë euro, ndërsa shërbimi parashikohet të ofrohet për një periudhë 730 ditë. Autoritet kontraktor në këtë procedurë është vetë AKSHI.
Tenderi është shoqëruar me një sërë ankesash që prej hapjes së tij në 13 gusht 2025, duke sjellë pezullime dhe vonesa të konsiderueshme në afatet e parashikuara. Më herët, në muajin dhjetor, KPP kishte pezulluar përkohësisht procedurën, pas disa ankesave të operatorëve lidhur me dokumentet e tenderit, ku për një pjesë të tyre kërkesat u pranuan, ndërsa për të tjerat u rrëzuan.
Sipas termave të referencës, objektivi i kontratës është instalimi dhe garantimi i vazhdueshëm i shërbimit të internetit dhe intranetit për institucionet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave. Operatorët ekonomikë mbajnë përgjegjësi për disponueshmërinë e pandërprerë të shërbimit, suportin teknik dhe mirëmbajtjen e linjave fizike, në përputhje me SLA-në e përcaktuar.
Tenderët që lidhen me sistemet IT dhe mirëmbajtjen e tyre janë ndër procedurat më të ankimuara pranë KPP, shpesh duke krijuar zvarritje me pasoja konkrete për funksionimin e institucioneve.
Me rrëzimin e kësaj ankese, AKSHI tashmë ka rrugën të hapur për të finalizuar procedurën dhe për të lidhur kontratën për shërbimin e internetit të institucioneve publike, një element kritik për funksionimin e administratës dhe shërbimeve digjitale. /ekofin.al

