Banka e Shqipërisë mbetet në pamundësi për të marrë vendime, pasi Këshilli i saj Mbikëqyrës mbetet me tre anëtarë. Kështu, edhe mbledhja e dytë e programuar për këtë vit nuk është zhvilluar. Në vend të kësaj, Guvernatori Gent Sejko, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, së bashku me anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, Zëvendësguvernatoren e Dytë, Natasha Ahmetaj, dhe anëtarin Anastas Angjeli, zhvilluan sot një takim informues, ku u njohën nga afër me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të institucionit.
Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet e fundit ekonomike dhe monetare, si edhe u mor informacion mbi administrimin dhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, zbatimin e politikës monetare, mbarëvajtjen e sistemit bankar dhe financiar, si dhe gjendjen e tregjeve të parasë dhe valutore. Megjithatë, në këtë takim nuk u morën vendime.
Sipas sqarimit zyrtar, çështjet e planifikuara për vendimmarrje në mbledhjen e muajit shkurt do të trajtohen në mbledhjet e ardhshme, në momentin kur Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë të ketë numrin e nevojshëm të anëtarëve për zhvillimin e mbledhjeve dhe marrjen e vendimeve përkatëse.
Kjo situatë vjen pasi, për herë të dytë këtë vit, Këshilli Mbikëqyrës ka qenë në pamundësi për t’u mbledhur dhe për të marrë vendime, për shkak të mungesës së kuorumit. Pamundësia për vendimmarrje ka ndikuar edhe në axhendën publike të institucionit, duke bërë që konferenca e sotme për mediat e Guvernatorit të mos zhvillohet.
Aktualisht, Këshilli Mbikëqyrës mbetet i paplotë, në pritje të zgjedhjes së gjashtë anëtarëve të rinj nga Kuvendi. Ditën e sotme u përmbyllën dëgjesat për tre kandidatët që pritet të jenë propozim i Kuvendit, ndërsa priten edhe tre propozimet e Këshillit të Ministrave, të cilat do të votohen drejtpërdrejt në Kuvend.
Sipas kalendarit zyrtar, mbledhja e radhës e Këshillit Mbikëqyrës është parashikuar të zhvillohet më 4 mars 2026. Me gjasë, deri në këtë datë, Këshilli pritet të jetë i plotësuar, duke i hapur rrugë zhvillimit të mbledhjes së parë vendimmarrëse për vitin 2026, si për çështjet e veprimtarisë operacionale, ashtu edhe për politikën monetare./ekofin.al
