Administrata Tatimore ka njoftuar zyrtarisht shtyrjen e afatit për deklarimin e inventarit analitik me datë 31.12.2025, duke e zhvendosur atë deri më 20 shkurt 2026. Vendimi vjen në një moment kur sistemi i fiskalizimit SelfCare ka shfaqur probleme të përsëritura teknike, duke e bërë të vështirë ose të pamundur për shumë biznese përmbushjen e detyrimeve ligjore në afatin fillestar.
Sipas bizneseve, që prej 20 janarit 2026, platforma SelfCare ose nuk ka funksionuar fare, ose ka operuar me ndërprerje të shpeshta dhe në faza të paqëndrueshme, duke krijuar vonesa serioze në raportimet fiskale dhe ngarkimin e dokumentacionit përkatës. Kjo situatë ka nxitur reagime të vazhdueshme nga komuniteti i biznesit, i cili ka kërkuar në mënyrë të përsëritur shtyrjen e afateve për të shmangur penalizimet për shkaqe që nuk varen nga tatimpaguesit.
Në njoftimin zyrtar, Administrata Tatimore thekson se shtyrja e afatit realizohet me qëllim garantimin e përmbushjes së saktë dhe korrekte të këtij detyrimi ligjor, duke u dhënë bizneseve më shumë kohë për të reflektuar dhe deklaruar saktë gjendjen e inventarit. Inventari analitik duhet të përmbajë informacion të detajuar për lëndën e parë, produktet e gatshme dhe mallrat për rishitje, të shoqëruara me njësi, sasi, çmim dhe vlerë.
Deklarimi duhet të kryhet elektronikisht përmes sistemit e-Filing, në rubrikën “Çështjet e mia”, duke u ngarkuar me emërtimin “Inventari 31.12.2025”, jo më vonë se data 20.02.2026. Tatimet u bëjnë thirrje tatimpaguesve që ta shfrytëzojnë këtë afat shtesë për të përmbushur detyrimin në mënyrë korrekte, në mënyrë që të shmangen verifikimet në terren dhe aplikimi i penaliteteve përkatëse.
Shtyrja e afatit shihet nga bizneset si një hap i domosdoshëm dhe korrekt nga ana e autoriteteve fiskale, në një periudhë kur problematikat teknike të fiskalizimit po ndikojnë drejtpërdrejt në normalitetin e raportimeve financiare dhe fiskale. /ekofin.al
