Forcimi i Lekut në kursin e këmbimit po vijon me ritme të shpejtë edhe këtë javë. Euro për herë të parë ka zbritur shumë pranë pragut të 100 lekëve dhe rënia e saj është shoqëruar me rënie edhe të gjithë valutave të tjera.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye të enjten me 100.49 lekë, duke prekur një tjetër minimum historik. Edhe Paundi Britanik preku një minimum të ri historik, në vlerën e 115.72 lekëve.
Dollari Amerikan ka zbritur në 89.61 lekë, duke shënuar një rekord të ri që prej fundit të vitit 2008. Edhe Franga Zvicerane shënoi një minimum të ri shumëvjeçar, duke prekur vlerën 104.46 lekë.
Në këtë periudhë, kursi i këmbimit ndodhet nën efektin e rritjes së ofertës valutore, për shkak të sezonit turistik. Presionet mbiçmuese nga rritja e ofertës valutore këtë vit ndoshta po forcohen më shumë nga shtrëngimi i ofertës së Lekut, duke sjellë edhe një mbiçim të paprecedent dhe vështirë të shpjegueshëm në kursin e këmbimit valutor.
Ky forcim i lekut favorizon importuesit, por ndërkohë krijon probleme serioze për eksportuesit dhe për prodhimin vendas, duke u bërë frenues për zhvillimin e ekonomisë. /ekofin.al

