Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani dha sot detaje mbi diskutmet që po kryhen për reformimin e skemës së pensioneve. Manjani tha se një ndër propozimet e Bankës Botërore ka të bëjë edhe me propozimin për rritjen e moshës së pensionit, por se ky propozim, sipas saj, është kundërshtuar, pasi ky element është ezauruar në reformën e vitit 2014. Sipas Manjanit, mund të diskutohet përshpejtimi i zbatimit të skemës së rritjes së moshës, por jo përtej 67 vjeç.
“Refomimi i skemës së sigurimeve shoqërore është shumë i rëndësishëm për të marrë parasysh faktorët që dikojnë skemën. Një ndër propozimet e BB ka të bëjë edhe me propozimin për rritjen e moshës së pensionit. Ne e kemi kundërshtuar, pasi ky element është marrë parasysh në reformën e vitit 2014, ku ka nisur rritja për gratë dhe do të fillojë për burrat në 2032. Në vitin 2056 do të ketë barazim të moshës, 67 vjeç për secilën gjini. E vetmja që mund të ndryshojë është përshpejtimi në zbatimin e skemës së rritjes së moshës së pensionit, por jo përtej 67 vjeç”, deklaroi Manjani.
Zv/ministrja Manjani tha se rritja e të ardhurave ndikohet qoftë nga rritja e numrit të kontribuesve, por edhe për shkak të rritjes së pagave. Ajo shpjegoi edhe se pse vendet e rajonit kanë pensione më të larta. Sipas saj, këto vende periudhën e tranzicionit e kanë pasur të ndryshme nga vendi jonë.

