Deutsche Bank është aktualisht objekt i hetimeve nga Zyra Federale e Policisë Kriminale. Autoritetet po kontrollojnë ambiente në Frankfurt dhe Berlin, nën dyshimet për pastrim parash.
Policia federale gjermane kontrolloi të mërkurën në mëngjes zyrat e Deutsche Bank në Frankfurt dhe Berlin, me kontrolle të urdhëruara nga prokurorët në Frankfurt.
Sipas Der Spiegel, që raportoi i pari lajmin, rreth 30 hetues hynë me rroba civile në selinë qendrore të bankës në Frankfurt. Një tjetër ambient i Deutsche Bank në Berlin u kontrollua gjithashtu.
Prokurorët thonë se po hetojnë drejtues dhe punonjës ende të paidentifikuar të Deutsche Bank nën dyshimin për pastrim parash. Dyshohet se banka ka pasur marrëdhënie biznesi me kompani të huaja që mund të jenë përdorur për pastrim parash.
Media Süddeutsche Zeitung ka raportuar se çështja mund të përfshijë një ish-klient të njohur të bankës: miliarderin rus Roman Abramovich. Abramovich ndodhet nën sanksione të Bashkimit Evropian që nga marsi i vitit 2022, për shkak të lidhjeve të tij me presidentin rus Vladimir Putin. Autoritetet po shqyrtojnë nëse Deutsche Bank mund të ketë dështuar të zbatojë siç duhet kontrollet kundër pastrimit të parave në transaksionet e mëparshme që e përfshinin atë.
Një nga fokuset e hetimit, sipas Süddeutsche Zeitung, është nëse transaksionet e dyshimta janë raportuar me vonesë pranë autoriteteve. Bankat janë të detyruara të raportojnë menjëherë çdo pagesë të dyshimtë dhe mosrespektimi i këtij detyrimi mund të çojë në gjoba.
Deutsche Bank konfirmoi se kontrollet janë duke u zhvilluar dhe deklaroi se po bashkëpunon plotësisht me prokurorët. Prokuroria e Frankfurtit nuk pranoi të japë detaje mbi marrëdhëniet e biznesit apo transaksionet që po hetohen.
Kontrollet vijnë vetëm një ditë përpara se Deutsche Bank të prezantojë rezultatet vjetore financiare, ku pritet të njoftojë fitimin më të lartë në shumë vite.
Aksioni i së mërkurës nuk është hera e parë që zyrat e Deutsche Bank bëhen objekt i një hetimi policor.
Në prill të vitit 2022, autoritetet gjermane bastisën selinë e Deutsche Bank në Frankfurt për dyshime për pastrim parash, të lidhura me raportimin me vonesë të dy Raporteve të Aktivitetit të Dyshimtë (SAR), çka rezultoi në një gjobë prej 7 milionë eurosh. Në maj 2022, policia bastisi sërish zyrat në Frankfurt për shkak të akuzave për “greenwashing” ndaj menaxherit të aseteve të bankës, DWS. Kjo u pasua nga një tjetër bastisje në tetor të po atij viti, e nxitur nga një hetim për mashtrim tatimor.
Në vitin 2018, rreth 170 oficerë policie kontrolluan selinë qendrore në Frankfurt pas dyshimeve për dështime në sinjalizimin e transaksioneve të dyshimta të kanalizuara përmes një njësie offshore në Ishujt e Virgjër Britanikë. Ky hetim nuk çoi në akuza penale, megjithatë banka u gjobit me 15 milionë euro për mangësi në masat kundër pastrimit të parave./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
