Fëmijët dhe adoleshentët në Francë nën moshën 15 vjeç mund të ndalohen nga përdorimi i rrjeteve sociale që në fillim të vitit të ardhshëm shkollor, ka deklaruar presidenti Emmanuel Macron.
Në një mesazh video të shpërndarë të shtunën për televizionin BFMTV, Macron tha se u ka kërkuar ligjvënësve të përshpejtojnë procesin e miratimit të legjislacionit që kufizon aksesin në rrjetet sociale për nën 15-vjeçarët, në mënyrë që ai të hyjë në fuqi me nisjen e vitit shkollor këtë shtator.
“Truri i fëmijëve dhe adoleshentëve tanë nuk është për shitje,” tha presidenti francez në video. “Emocionet e fëmijëve dhe adoleshentëve tanë nuk janë për shitje dhe as për t’u manipuluar – as nga platformat amerikane, as nga algoritmet kineze.”
Deputetja franceze Laure Miller, nga koalicioni i Macronit Ensemble Pour la République (Së Bashku për Republikën), do të paraqesë një projektligj për shqyrtim në Asamblenë Kombëtare më 26 janar.
Përveç kufizimit të rrjeteve sociale për të gjithë fëmijët nën 15 vjeç, legjislacioni parashikon gjithashtu ndalimin e telefonave inteligjentë në të gjitha shkollat e mesme në Francë.
Nisma franceze është pjesë e një vale masash që po diskutohen në mbarë Europën, pas vendosjes nga Australia vitin e kaluar të rregullave më të rrepta në botë për rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç.
Edhe Danimarka ka arritur një marrëveshje për të bllokuar aksesin në rrjetet sociale për këdo nën 15 vjeç – një masë që mund të kthehet në ligj deri në mesin e vitit 2026.
Në përputhje me ligjin e BE-së
Franca prej kohësh ka shtyrë për rregulla më të rrepta lidhur me aksesin e fëmijëve ndaj ekraneve dhe rrjeteve sociale.
Në vitin 2023, ligjvënësit miratuan një ligj që kufizonte aksesin në rrjetet sociale për të miturit nën 15 vjeç dhe kërkonte gjithashtu pëlqimin e prindërve për hapjen e një llogarie. Megjithatë, ligji nuk hyri kurrë në fuqi pasi binte ndesh me Aktin e Shërbimeve Digjitale (DSA) të Bashkimit Europian.
Pas rishikimit të udhëzimeve nga BE-ja vitin e kaluar, shtetet anëtare fituan më shumë fleksibilitet për të vendosur vetë kufijtë e moshës për rrjetet sociale – qoftë duke ndaluar plotësisht aksesin për fëmijët nën një moshë të caktuar, qoftë duke kërkuar pëlqimin prindëror për hapjen e një llogarie.
Projektligji francez nuk specifikon se cilat platforma të rrjeteve sociale do të përfshihen në ndalim, por parashikon përjashtime për enciklopedi si Wikipedia dhe për “drejtori arsimore” të tjera.
Metoda e saktë e verifikimit të moshës mbetet ende për debat. Miller i tha mediave lokale se ajo ka gjasa të ndjekë një procedurë të ngjashme me atë të faqeve pornografike, të cilat, sipas një ligji të vitit 2024, janë të detyruara të verifikojnë që përdoruesit janë mbi 18 vjeç.
Faqet pornografike në Francë përdorin kryesisht dy metoda për verifikimin e moshës: e para kërkon që përdoruesit të dorëzojnë një foto të kartës së identitetit kombëtar së bashku me një “selfie” për të konfirmuar identitetin; e dyta përdor inteligjencë artificiale (AI) për të vlerësuar moshën e përdoruesit bazuar në një “selfie” që ai dorëzon.
