Bizneset po përballen prej më shumë se një jave me probleme serioze në aksesimin dhe funksionimin e platformës SelfCare të Administratës Tatimore, duke e bërë praktikisht të pamundur kryerjen e një sërë detyrimesh ligjore, përfshirë fiskalizimin e faturave të shitjes dhe deklaratave doganore.
Sipas shqetësimit të ngritur nga Aleanca e Profesionistëve të Lirë, platforma shfaqet vetëm në formë statike dhe nuk lejon asnjë veprim funksional. Kjo situatë ka bllokuar proceset e përditshme të bizneseve, duke i vendosur ato në pamundësi objektive për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga ligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”.
Një nga problematikat më kritike lidhet me fiskalizimin e dokumenteve doganore, të cilat sipas ligjit kanë një afat maksimal prej 72 orësh për t’u fiskalizuar. Me SelfCare jashtë funksionit, bizneset rrezikojnë automatikisht penalitete, edhe pse shkaku nuk lidhet me mospërmbushje nga ana e tyre, por me mosfunksionimin e sistemit shtetëror.
Situata aktuale është pasojë e mungesës së mirëmbajtjes së sistemit prej muajsh. Tenderi për mirëmbajtjen e platformës SelfCare është hapur, anuluar dhe shtyrë disa herë, ndërsa së fundmi është rihapur sërish si procedurë, pa sjellë ende një zgjidhje konkrete për përdoruesit e sistemit.
Bizneset i referohen nenit 26 të Ligjit nr. 87/2019 dhe VKM nr. 431, datë 03.06.2020, “Për Platformën Qendrore të Faturave”, duke theksuar se institucionet përgjegjëse kanë detyrimin ligjor të garantojnë funksionimin normal të infrastrukturës digjitale që shërben për fiskalizimin. Në këto kushte, ato kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme për zgjidhjen e problematikës, në mënyrë që të mos penalizohen për shkelje që nuk varen nga vullneti i tyre.
Situata ka rikthyer në vëmendje një shqetësim të hershëm të komunitetit të biznesit, i cili prej kohësh ka ngritur alarmin për brishtësinë e sistemeve digjitale të tatimeve dhe mungesën e një plani të qëndrueshëm mirëmbajtjeje dhe emergjence. Për bizneset, funksionimi i SelfCare nuk është thjesht një çështje teknike, por një parakusht për respektimin e ligjit dhe vazhdimësinë normale të aktivitetit ekonomik. /ekofin.al
