Qeveria ka hedhur një tjetër hap në riorganizimin e sektorit të mbetjeve, duke e shndërruar Agjencinë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve në një shoqëri aksionare me kapital 100% shtetëror. Me vendimin nr. 37, datë 21 janar 2026, të botuar në Fletoren Zyrtare, Këshilli i Ministrave përcakton organizimin e brendshëm, organet drejtuese dhe mënyrën e funksionimit të Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve sh.a. (AKEM sh.a.), në zbatim të ligjit të ri “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.
Sipas vendimit, AKEM sh.a. do të funksionojë si shoqëri tregtare, por me pronësi të plotë shtetërore, ku autoriteti publik që përfaqëson shtetin si aksionar i vetëm është ministria përgjegjëse për mjedisin. Shoqëria do të ofrojë, kundrejt pagesës, shërbimin e trajtimit fundor të mbetjeve, si edhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.
Modeli i zgjedhur i administrimit parashikon dy nivele drejtimi: Këshillin Mbikëqyrës dhe administratorin, në linjë me ligjin “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”. Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë është përcaktuar në 20 milionë lekë, të cilat do të injektohen nga buxheti i Agjencisë ekzistuese për menaxhimin e mbetjeve, menjëherë pas regjistrimit të shoqërisë në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Vendimi detajon edhe përbërjen e Këshillit Mbikëqyrës, i cili do të ketë pesë anëtarë: dy përfaqësues nga ministria përgjegjëse për mjedisin dhe nga një përfaqësues nga ministritë e financave, pushtetit vendor dhe ekonomisë. Kriteret e emërimit, mandati dhe skema e shpërblimit të tyre do të përcaktohen në statut, duke respektuar kufizimet ligjore për shoqëritë aksionare.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe rolit të administratorit, i cili emërohet nga Asambleja e Përgjithshme e Aksionarit. Vendimi parashikon kritere të qarta profesionale dhe integriteti për këtë funksion, duke kërkuar arsim të nivelit master, të paktën 10 vite eksperiencë pune, prej të cilave 5 vite në pozicione drejtuese, si dhe mungesë konflikti interesi. Po ashtu, përcaktohen rastet e lirimit dhe shkarkimit nga detyra, duke lidhur drejtpërdrejt qëndrueshmërinë e drejtuesit me performancën dhe arritjen e objektivave të shoqërisë.
Në fazën kalimtare, Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve do të vijojë të kryejë funksionet në emër dhe për llogari të ministrisë përgjegjëse për mjedisin, deri në nisjen formale të veprimtarisë së shoqërisë aksionare. Me fillimin e funksionimit të AKEM sh.a., shfuqizohet vendimi i mëparshëm i vitit 2024 për krijimin dhe funksionimin e Agjencisë, duke mbyllur kështu ciklin institucional të modelit të vjetër.
Riorganizimi sinjalizon një qasje të re të qeverisë ndaj menaxhimit të mbetjeve, duke e zhvendosur fokusin nga një agjenci klasike buxhetore drejt një strukture tregtare shtetërore, me synimin për më shumë eficiencë financiare, autonomi menaxheriale dhe qëndrueshmëri afatgjatë në trajtimin e mbetjeve urbane dhe jo vetëm. Për tregun dhe pushtetin vendor, ky ndryshim pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën se si financohen dhe ofrohen shërbimet e trajtimit fundor të mbetjeve në vitet në vijim. /ekofin.al
