Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme, NAREA, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si po zhvillohen kontrollet e fundit të Administrata Tatimore në agjencitë imobiliare, duke shprehur shqetësim të thellë jo vetëm për formën e ushtrimit të tyre, por edhe për mënyrën e mediatizimit, që sipas shoqatës përmban informacione të pavërteta dhe krijon një klimë denigruese ndaj gjithë sektorit.
Në reagimin e saj, NAREA dënon “demonizimin e një sektori të tërë”, i cili, sipas saj, u ofron mundësi biznesi rreth 1.500 agjentëve imobiliarë, kryesisht të vetëpunësuar, që sigurojnë të ardhura për veten dhe familjet e tyre. Shoqata thekson se profesionistë të licencuar po përballen me pasoja reale reputacionale dhe ekonomike, si rezultat i një fushate që, sipas saj, ushqehet nga kërkimi i lajmit sensacional dhe klikimeve, në dëm të realitetit të tregut.
NAREA rikujton se profesioni i Ndërmjetësit të Pasurive të Paluajtshme është i rregulluar ligjërisht nga Ligji nr. 9/2022 dhe përfaqëson hallkën e parë në përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të palëve në një transaksion imobiliar. Për më tepër, shoqata nënvizon se prej vitesh ka komunikuar në mënyrë të vazhdueshme me institucionet qendrore të qeverisë dhe strukturat e inteligjencës financiare për sfidat e industrisë, duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim në funksion të përputhshmërisë me kuadrin ligjor.
Sipas NAREA-s, një nga problematikat kryesore që ka ndikuar negativisht në treg është moszbatimi i disa elementeve kyçe të ligjit nga operatorë të tjerë ekonomikë, veçanërisht platforma online të publikimit të pronave. Kjo, sipas shoqatës, ka krijuar amulli në treg, duke lejuar hyrjen e aktorëve të palicencuar dhe informalë, të cilët dëmtojnë konkurrencën e ndershme dhe minojnë përpjekjet e agjentëve të licencuar për respektimin e detyrimeve ligjore.
Në këtë kontekst, NAREA vlerëson si të domosdoshëm një komunikim më të qartë institucional, si dhe sqarimin e Planit Operacional dhe Sektorial të kontrolleve, në mënyrë që kërkesat ndaj Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të jenë të qarta, të drejta dhe të parashtruara në kohë. Shoqata thekson se për të rritur efektivitetin e luftës kundër informalitetit, institucionet duhet t’i konsiderojnë NAREA-n dhe anëtarët e saj si partnerë dhe jo si objekt demonizimi publik.
Sipas reagimit, paqartësia e shoqëruar me mediatizimin e parakohshëm të kontrolleve, pa pritur projekt-raportet dhe rezultatet përfundimtare, ndikon negativisht në perceptimin e publikut, cënon imazhin e profesionit dhe dobëson frymën e bashkëpunimit institucional, duke e bërë më të vështirë rolin e agjentit si garantues i parë në zinxhirin e transaksioneve imobiliare.
NAREA thekson gjithashtu profilin e saj ndërkombëtar, duke rikujtuar se është anëtare me të drejta të plota e dy organizmave më të rëndësishëm globalë në fushën e real estate: NAR me seli në Uashington dhe CEPI me seli në Bruksel, pranë Komisionit Evropian. Madje, pranë CEPI-t, NAREA udhëheq Task-Forcën e Përhershme të Komunikimit me Komisionin dhe Parlamentin Evropian, duke u pozicionuar, sipas saj, si një aktor i përgjegjshëm dhe i angazhuar në standardet evropiane të profesionit.
Reagimi i shoqatës vjen në një moment kur sektori imobiliar po përballet me rritje të vëmendjes institucionale dhe publike, ndërsa NAREA kërkon që kjo vëmendje të shoqërohet me transparencë, proporcionalitet dhe dialog, në funksion të formalizimit të tregut dhe mbrojtjes së profesionistëve të licencuar.
