Institucionet financiare jobanka gjatë vitit 2022 raportuan një rezultat financiar pozitiv prej 3.3 miliardë lekë, i cili përsëri rezultoi me rënie prej 9% krahasuar me të dhënat e vitit 2021. Të dhënat për aktivitetin financiar të këtyre institucioneve janë publikuar në Raportin e Mbikëqyrjes, të publikuar nga Banka e Shqipërisë.
Subjektet me kontribut më të lartë në fitimin e realizuar nga IFJB-të janë: ‘’Tranzit’’, “Kredo Finance”, “NOA”, “Unioni Financiar Tiranë” , “Iute Credit”. Rezultati neto i IFJB-ve përbën rreth 13.3% të rezultatit të sistemit bankar. Kthimi mesatar nga aktivet për IFJB-të arrin në 4.11% (kundrejt 4.8% në vitin 2021), ndërsa kthimi mesatar nga kapitali arrin në 10.7% (kundrejt 13.83% në vitin 2021), theksohet në raportin e Bankës së Shqipërisë.
Totali i aktiveve të IFJB-ve vitin e kaluar arriti në 81.1 miliardë lekë, në rritje me 4.8 miliardë lekë ose rreth 6.3% krahasuar me një vit më parë. Rritja e aktiveve është gjeneruar kryesisht nga subjektet Paysera (2.1 miliardë lekë), NOA (2 miliardë lekë), Iutecredit Albania (1.5 miliardë lekë), Kredo Finance (1 miliardë lekë), etj.
Ndërsa një prej institucioneve më të rëndësishme financiare jobankë, Fondi Besa, vitin e kaluar pësoi rënie të totalit të aktiveve, me rreth 3 miliardë lekë. Aktivet e institucioneve financiare jobanka arrijnë në 4.14% të totalit të aktiveve të sistemit bankar.
Në fund të vitit të kaluar, në Shqipëri vepronin 38 IFJB të licencuara, me aktivitet kryesisht kredidhënien, mikrofinancën, qiranë financiare dhe shërbimet e pagesave. Pjesa më e madhe e portofolit të kredisë së IFJB-ve, rreth 77%, mbahet nga subjektet e kredidhënies dhe mikrokredisë. /ekofin.al
