Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se do të vendosë tarifa 200% mbi verën dhe shampanjën franceze, pasi një këshilltar i presidentit francez Emmanuel Macron deklaroi se Franca “nuk ka ndërmend” të pranojë ftesën për t’u bashkuar me “Bordin e Paqes” të ri ndërkombëtar.
“Askush nuk e do, sepse shumë shpejt do të dalë nga detyra,” tha Trump pasi një gazetar i tha se Macron ka gjasa të mos i bashkohet bordit.
“Do t’u vendos një tarifë 200% verërave dhe shampanjave të tij dhe ai do të bashkohet, por nuk është i detyruar të bashkohet,” shtoi ai.
Mandati pesëvjeçar presidencial i Macron pritet të përfundojë në maj 2027 dhe, sipas ligjit francez, ai nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë.
“Bordi i Paqes” ishte një ide e propozuar fillimisht nga Trump në shtatorin e kaluar, si pjesë e planit të tij për t’i dhënë fund luftës në Gaza, megjithëse tani iniciativa duket se synon më gjerësisht ndërmjetësimin e konflikteve globale.
Një draft-kartë, e dërguar nga SHBA-të rreth 60 vendeve, u kërkon anëtarëve të kontribuojnë 1 miliard dollarë në para nëse duan që anëtarësimi i tyre të zgjasë më shumë se tre vjet, sipas dokumentit të parë nga Reuters.
Karta sugjeron se Trump do të shërbente si kryetari inaugurues i bordit dhe do të kryesonte vendimmarrjen për anëtarësimet.
Në bord janë ftuar edhe presidenti rus Vladimir Putin, kryeministri britanik Keir Starmer, udhëheqësi bjellorus Alexander Lukashenko, kryeministri indian Narendra Modi, si dhe të tjerë.
Ekzistojnë shqetësime se Bordi mund të minojë kornizën e Kombeve të Bashkuara, ndërsa numri i madh i ftesave të dërguara ngre gjithashtu pikëpyetje mbi mandatin e bordit dhe proceset e tij vendimmarrëse.
Presidenti amerikan publikoi gjithashtu në platformën e tij Truth Social një mesazh privat nga Macron, në të cilin presidenti francez e ftonte Trumpin për darkë në Paris, të enjten.
Në mesazhe, Macron i thoshte Trumpit se mund të ftonte ukrainasit, danezët, sirianët dhe rusët të merrnin pjesë në takime në margjinat e një mbledhjeje të G7-ës, po të enjten.
Presidenti francez i tha gjithashtu Trumpit se nuk e kuptonte se çfarë po bënte presidenti amerikan “me Groenlandën”.
Uashingtoni njoftoi se tetë vende evropiane do të përballen me tarifa 10% mbi eksportet e tyre drejt SHBA-ve nga 1 shkurti, nëse nuk mbështesin propozimin amerikan për blerjen e territorit gjysmë-autonom danez. Kjo normë do të rritet në 25% në qershor, nëse nuk arrihet një marrëveshje.
Konkretisht, kërcënimi synon Danimarkën, Norvegjinë, Suedinë, Francën, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, Holandën dhe Finlandën.
Duke qëndruar të palëkundura në mbështetjen e të drejtës së Groenlandës për vetëvendosje dhe të sovranitetit të Danimarkës, shtetet anëtare të BE-së po shqyrtojnë opsionet e tyre.
Një mundësi është përdorimi i tarifave hakmarrëse mbi 93 miliardë euro mallra amerikane, një masë që u hodh në tryezë dhe më pas u braktis vitin e kaluar gjatë një përplasjeje të mëparshme tregtare me Uashingtonin. Një propozim tjetër përfshin aktivizimin e një instrumenti kundër-detyrimit, i cili i lejon BE-së të vendosë masa ndëshkuese ekonomike ndaj një vendi që kërkon të detyrojë ndryshime politike.
“Nuk mendoj se do të reagojnë shumë ashpër,” tha Trump për vendet evropiane. “Na duhet ta kemi… Ata nuk mund ta mbrojnë.”/Përshtati nga Euronews, ekofin.al
