Kryeministri ka reaguar pas një artikulli të publikuar nga “Bloomberg”, ku pretendohej se Shqipëria do të paguante 1 miliard euro në kuadër të të ashtuquajturit Bordi i Paqes i Presidentit amerikan Donald Trump dhe se në vend do të vinin palestinezë.
Ai i cilësoi këto pretendime si të pavërteta, duke theksuar se Shqipëria nuk ka asnjë detyrim financiar dhe se nuk bëhet fjalë për zhvendosje palestinezësh në territorin shqiptar.
“Tenxheret politike mediatike po bubullojnë e gërrgërrojnë aq fort sa thua se në Bordin e Paqes së Presidentit Trump nuk është ftuar Shqipëria, po një vend armik i Shqipërisë”, shprehet Rama, duke shtuar se në këtë bord janë ftuar të gjitha shtetet anëtare të OKB-së.
Kryeministri rendit tri pretendime që i quan gënjeshtra: se Shqipëria do të paguajë 1 miliard euro; se në Shqipëri do të vijnë palestinezë; se ftesa për Bordin e Paqes është selektive.
Sipas Ramës, e vërteta është shumë më e thjeshtë sesa interpretimet që, sipas tij, nxiten nga qarqe politike dhe mediatike, sa herë që Shqipëria përfshihet në iniciativa ndërkombëtare. Ai i cilëson këto reagime si shprehje të “Shqipërisë së vjetër”, në kontrast me, siç thotë ai, “Shqipërinë tjetër, të dinjitetshme ndërkombëtarisht dhe të respektuar botërisht”.
Rama thekson se për të rëndësi ka besimi i shumicës së shqiptarëve që e kanë votëbesuar katër herë dhe respekti i liderëve ndërkombëtarë, të cilin e sheh si mjet për të nderuar dhe lartësuar Shqipërinë.
“Ky është një moment i jashtëzakonshëm i Shqipërisë, ku tërbimi i tenxhereve thjesht na siguron se sa më shumë lehin qentë, aq më përpara është duke shkuar karvani”, përfundon reagimin e tij kryeministri.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se procesi i integrimit evropian të Shqipërisë do të vijë duke u vështirësuar, për shkak të volumit të madh legjislativ që duhet të miratohet, por ka theksuar se shumica qeverisëse dhe Partia Socialiste nuk do të ndalen në këtë rrugë. Gjatë podkastit “Flasim”, Rama u shpreh se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian ndodhet në një fazë që kërkon punë intensive dhe përkushtim maksimal nga institucionet dhe Grupi Parlamentar i PS.
“Për shumicën qeverisëse duhet të jetë e qartë se procesi do të vijë duke u vështirësuar, pasi ka një volum legjislativ që kurrë më parë nuk ka kaluar filtrin vendimmarrës. Por jam besimplotë dhe i bindur se Grupi Parlamentar do të jetë në lartësinë e kësaj sfide”, tha Rama.
Kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë e rritjes së komunikimit me mbështetësit e PS dhe përballjes me atë që ai e cilësoi si “front i gjerë dezinformimi”.
“Është e rëndësishme të rrisim komunikimin me mbështetësit tanë dhe betejën me dezinformimin në të gjitha ‘tenxheret’ që gurgullojnë ditë e natë. Por rruga drejt BE do të jetë e pandalur”, u shpreh ai.
Në këtë kontekst, Rama nënvizoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit strategjik me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë, duke e cilësuar atë si një avantazh për Shqipërinë.
“Një moment i rëndësishëm u shënua gjatë vizitës sonë në Emiratet e Bashkuara. Kam qenë shumë krenar kur kam folur për bashkëpunimin mes Emirateve, Shqipërisë dhe Italisë, ku vendi ynë ka një rol kyç në krijimin e kapaciteteve të gjenerimit, duke i dhënë Shqipërisë një avantazh strategjik”, tha Kryeministri
Gjithashtu, ai reaguar për herë të parë lidhur me vendimin e SHBA-ve për të pezulluar vizat e emigracionit me Shqipërinë.
“Dhe në fund, për kripë, jo për ëmbëlsirë, dua të them dy fjalë për ata që u hodhën përpjetë, ose më saktë, për ata që jetojnë të hedhur përpjetë dhe që, në përpjetësinë e tyre, i shtuan hedhjeve edhe një hedhje të radhës dhe të së njëjtës natyrë: dezinformim, çoroditje e opinionit publik, helmim i të gjithë atyre që kanë akoma fuqinë t’i dëgjojnë, duke thënë që Amerika i ndaloi vizat për Shqipërinë.Kjo është e pavërtetë! Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndaluar vizat për Shqipërinë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, administrata aktuale, nën orientimin e qartë prej kohësh të Presidentit Trump për politikën e re lidhur me emigracionin, ka vendosur që për 75 vende të botës, ndër të cilat edhe disa vende të Ballkanit, ku përfshihet edhe Kosova, të bëhet një pezullim i përkohshëm për sa i përket lejeve të punës në Shtetet e Bashkuara, jo vizave për në Amerikë, por lejeve të qëndrimit në Amerikë për punë, pasi për këtë kategori vendesh kanë vënë re fenomenin e marrjes së vizës për turizëm, marrjes së vizës për biznes dhe më pas të mosrespektimit të afateve, por të qëndrimit atje për të filluar një punë, dhe kjo është diçka që shkon në linjën krejt normale të politikës së re të Presidentit Trump dhe që nuk ka pikën e lidhjes me të gjitha ato që u thanë nga ata që hidhen përpjetë dhe që, përsëri, kur të bien në tokë, do të shohin se terreni mbi të cilin qëndrojnë është gjithmonë më i rrëshqitshëm.” tha Rama.
