Strukturat akomoduese në Shqipëri kanë regjistruar një rritje të konsiderueshme të aktivitetit turistik gjatë muajit Nëntor 2025, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, bëjnë të ditur të dhënat zyrtare të INSTAT.
Sipas statistikave, vizitorët gjithsej u rritën me 30,0 %. Në këtë rritje, vizitorët jo-rezidentë shënuan një rritje prej 31,0 %, ndërsa vizitorët rezidentë u rritën me 28,0 %.
Po ashtu, net qëndrimet gjithsej u rritën me 29,8 % krahasuar me Nëntorin 2024. Net qëndrimet e realizuara nga vizitorët jo-rezidentë u rritën me 32,5 %, ndërsa ato nga vizitorët rezidentë u rritën me 23,0 %.
Të dhënat tregojnë se vizitorët jo-rezidentë shënuan rritje si në zonat jo-bregdetare, me 21,6 %, ashtu edhe në hotelet dhe akomodimet e ngjashme, ku rritja arriti në 29,8 %.
Sa i përket origjinës së vizitorëve të huaj, në Nëntor 2025 shumica e vizitorëve jo-rezidentë të akomoduar në strukturat pritëse në Shqipëri vinin nga Italia, me 19 %, e ndjekur nga Kosova, me 18 %, dhe Gjermania, me 9 %. Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kontribuan përkatësisht me 6 % dhe 5 % të vizitorëve, ndërsa 43 % e tyre ishin nga vende të tjera. Këto të dhëna pasqyrojnë prirjen e vazhdueshme të rritjes së turizmit hyrës nga tregjet kryesore të rajonit dhe Evropës.
Ndërkohë, norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 22,2 %, nga 19,5 % që ishte në Nëntor 2024, duke treguar një përmirësim të ndjeshëm të kërkesës për akomodim.
INSTAT vlerëson se këto tregues konfirmojnë ecurinë pozitive të sektorit turistik edhe gjatë muajve jashtë sezonit veror./ekofin.al

