Raporti i Institutit “GAP” thekson ndotjen e ajrit si një problem të madh në Shqipëri, sidomos në zonat urbane. Shkaktarët kryesorë janë transporti dhe industria. Numri i automjeteve është rritur shpejt, ndërsa shumica e tyre janë të vjetra dhe përdorin karburant me cilësi të dobët. Si pasojë, në ajër çlirohen CO₂, NOx dhe grimca të dëmshme, që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e njerëzve, veçanërisht në qytete si Tirana dhe Elbasani. Edhe industria ndikon ndjeshëm, pasi fabrika dhe impiante energjetike lëshojnë ndotës si SO₂, NOx dhe komponime organike të paqëndrueshme, kryesisht për shkak të teknologjive të vjetruara dhe kontrollit të dobët.
Të dhënat rendisin gjithashtu ndotjen e ujërave si një tjetër shqetësim serioz. Shkarkimet industriale, shpesh të patrajtuara, ndotin lumenjtë me metale të rënda dhe kimikate. Po kështu, bujqësia shton ndotjen përmes plehrave, pesticideve dhe mbetjeve shtazore, duke dëmtuar cilësinë e ujit dhe ekosistemet ujore. Kjo situatë rrezikon shëndetin publik dhe biodiversitetin, duke treguar nevojën për trajtim më të mirë të ujërave të ndotura dhe bujqësi më të qëndrueshme.
Sipas raportit, Shqipëria duhet të synojë riciklimin dhe ekonominë qarkulluese. Për më tepër, pastrimi i mjedisit mund të shoqërohet me përfitime ekonomike, duke ndjekur shembuj të tjerë të ngjashëm, si për shembull: në Indi riciklimi i mbetjeve elektronike dhe në Ganë rikuperimi i arit nga mbetjet minerare kanë sjellë përfitime mjedisore dhe ekonomike. Edhe Shqipëria mund të ndjekë këtë model, duke përmirësuar cilësinë e ujërave dhe duke hapur vende të reja pune.
Sa i përket energjisë së gjelbër, raporti thekson se avantazhin e Shqipërisë për shkak të mbështetjes te hidrocentralet. Në vitin 2023, hidroenergjia përbënte 98% të kapacitetit të instaluar prej 2,444 MW. Kjo e bën vendin një nga liderët europianë për energjinë e rinovueshme dhe mban emetimet e karbonit të ulëta. Në vitin 2020, intensiteti i karbonit ishte 0.3 kg CO₂ për dollar GDP, shumë më i ulët se në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, varësia nga reshjet dhe niveli i ujit krijon rreziqe për sigurinë energjetike, sidomos në vite me thatësirë, thuhet në raport.
Diversifikimi me diell dhe erë
Për të ulur këto rreziqe, Shqipëria duhet të zhvillojë edhe energjinë diellore dhe të erës. Vlerësimet tregojnë se deri në vitin 2030 vendi mund të arrijë rreth 2,500 MW energji nga era dhe 2,000 MW nga dielli. Deri tani, zhvillimi ka qenë i ngadaltë për shkak të rregullave të ndërlikuara, mungesës së investimeve dhe infrastrukturës.
Për të shfrytëzuar këtë potencial, nevojiten investime në infrastrukturë dhe rregulla më të thjeshta për energjinë e pastër. Hidroenergjia mund të përdoret më shumë për eksport në periudhat kur çmimet në BE janë të larta, ndërsa energjia diellore dhe e erës të mbulojë nevojat bazë të vendit. Kjo do të rrisë fitimet, do të forcojë sigurinë energjetike dhe do ta pozicionojë Shqipërinë si një partner të rëndësishëm në tregun evropian të energjisë, thekson raporti./ekofin.al
