Kompania amerikane e lodrave “Mattel”, ka vendosur të hedh në treg një version të ri të kukullës Barbie.
Nëse e shikoni në sy Barbie-n më të re, mund të vini re se ajo nuk ju shikon drejtpërdrejt. Një devijim i lehtë i shikimit është një nga ndryshimet që Mattel ka bërë për shtesën më të fundit të linjës së saj Fashionista: Barbie-n autike.
Kukulla është pjesë e një nisme për të përfaqësuar më shumë njerëz, me shembuj të tjerë që përfshijnë Barbie me sindromën Down, Barbie të verbra që mbajnë bastunë të bardhë dhe Barbie me këmbë proteze.
Kukulla më e re u krijua në bashkëpunim me Autistic Self Advocacy Network (ASAN), e cila kontribuoi me ide se si kukulla mund të përfaqësojë një gamë përvojash që kanë disa persona në spektrin e autizmit.
Kukulla ka bërryla dhe kyçe të artikuluara, në mënyrë që të mund të bëjë lëvizje të duarve që disa persona autikë i përdorin për të rregulluar ndjesitë e tyre, të njohura si “stimming” ose përplasja e duarve.
Ajo shikon shumë lehtë nga njëra anë për të imituar mënyrën se si disa persona autikë shmangin kontaktin e drejtpërdrejtë me sy, dhe mban një rrotulluese (fidget spinner) të shkëputshëm, pasi për disa njerëz është si një shpërqendrim ndjesor i dobishëm.
Gjithashtu, ajo mban kufje “izoluese ndaj zhurmës” për të ndihmuar në reduktimin e mbingarkesës ndijore dhe një tablet që shfaq aplikacione komunikimi të bazuara në simbole (Augmentative and Alternative Communication – AAC), për të ofruar një formë alternative komunikimi.
“Autizmi ka shumë forma dhe përmasa të ndryshme, dhe kjo në të vërtetë nuk synon të përfaqësojë të vetmen mënyrë se si dikush mund ta përjetojë autizmin. Qëllimi është thjesht të ketë disa sinjale që mund të jenë përfaqësuese, në mënyrë që njerëz të ndryshëm të mund ta shohin veten te kjo kukull,” tha Jamie Cygielman, drejtuese globale e kukullave në Mattel.
Përcaktimi i asaj se si duhej të dukej kjo kukull ishte një sfidë, pasi autizmi përfshin një gamë shumë të gjerë sjelljesh dhe vështirësish që ndryshojnë ndjeshëm në shkallë, dhe shumë nga tiparet e lidhura me këtë çrregullim nuk janë menjëherë të dukshme, tha Noor Pervez, menaxher i angazhimit të komunitetit në ASAN, i cili punoi ngushtë me Mattel për prototipin e Barbie-t.
Ekipi i zhvillimit diskutoi nëse kukulla duhej të vishej me rroba të ngushta apo të lirshme, tha Pervez. Disa persona autikë veshin rroba të gjera sepse janë të ndjeshëm ndaj ndjesisë së qepjeve të pëlhurës, ndërsa të tjerë preferojnë veshje që i rrinë pas trupit për t’u dhënë ndjesinë e pozicionit të trupit të tyre.
Në fund, ekipi zgjodhi një fustan me prerje A, me mëngë të shkurtra dhe fund të lehtë e të rrjedhshëm, që ofron më pak kontakt pëlhurë-lëkurë. Sipas Mattel, kukulla mban gjithashtu këpucë të sheshta për të nxitur stabilitet dhe lehtësi lëvizjeje.
Shtimi i kukullës autike në linjën Barbie Fashionistas u bë gjithashtu një rast për Mattel që të krijojë një kukull me tipare fytyre të frymëzuara nga punonjëset e kompanisë në Indi dhe me “mood boards” që pasqyrojnë një gamë grash me prejardhje indiane.
Pervez tha se ishte e rëndësishme që kukulla të përfaqësonte një segment të komunitetit autik që zakonisht është i nënpërfaqësuar./Përshtati nga The Canadian Press News, ekofin.al
