Qytetarët shqiptarë mund të rinovojnë tashmë dokumentet e identifikimit në çdo zyrë të IdentiTek, pavarësisht vendbanimit apo njësisë ku janë të regjistruar në Gjendjen Civile. Ky ndryshim vjen pas një udhëzimi të ri, që liberalizon procedurat për riaplikimin e pasaportës biometrike dhe kartës së identitetit, si në procedurë standarde ashtu edhe të përshpejtuar.
Sipas udhëzimit, të gjitha riaplikimet për dokumente identifikimi mund të kryhen pranë çdo zyre aplikimi IdentiTek në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, duke i dhënë fund kufizimit territorial që lidhej me vendbanimin. Ky lehtësim synon të rrisë aksesueshmërinë dhe fleksibilitetin e shërbimit për qytetarët, si dhe të reduktojë kohën dhe kostot e lëvizjes, veçanërisht për ata që jetojnë apo punojnë larg vendit të regjistrimit civil.
Nga ky rregull i ri përjashtohen vetëm rastet kur pasaporta e fundit është aplikuar përpara vitit 2012. Në këto raste, aplikimet do të vijojnë të kryhen vetëm në zyrat përkatëse sipas vendbanimit të qytetarëve, në përputhje me procedurat aktuale.
Sa i përket tërheqjes së dokumenteve, karta e identitetit merret pranë zyrës ku është kryer aplikimi, ndërsa pasaporta biometrike tërhiqet pranë Drejtorisë Vendore të Policisë në qarkun ku është bërë aplikimi.
IdentiTek bën të ditur se mbetet e angazhuar në përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve për shtetasit shqiptarë, përmes zgjidhjeve që vendosin në qendër nevojat e qytetarëve dhe lehtësojnë aksesin në shërbimet e identifikimit.
