Ekspertët paralajmërojnë se Trump mund ta shfrytëzojë Groenlandën për burimet e saj të mineraleve kritike, të cilat konsiderohen “thelbësore” për energjinë e gjelbër.
Interesi gjithnjë e më i madh i Trump për Groenlandën ka nxjerrë në pah burimet minerare kryesisht të pashfrytëzuara të vendit, të cilat shumë ekspertë argumentojnë se janë kyçe për largimin gradual nga lëndët djegëse fosile.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), mineralet kritike janë “thelbësore” për kalimin drejt një të ardhmeje me energji të gjelbër – të përdorura për teknologji si turbinat me erë dhe automjetet elektrike (EV).
Përvetësimi i Groenlandës mund ta ndihmojë SHBA-në të ulë varësinë nga Kina, por a është vërtet kaq i thjeshtë plani i Trump?
Mineralet kritike të Groenlandës
Një studim i vitit 2023 zbuloi se 25 nga 34 mineralet e konsideruara “lëndë të para kritike” nga Komisioni Evropian gjenden në Groenlandë. Vlerësohet se vendi zotëron midis 36 dhe 42 milionë tonë metrikë okside të tokave të rralla, duke e bërë rezervën e dytë më të madhe në botë pas Kinës.
IEA thotë se litiumi, nikeli, kobalti, mangani dhe grafiti janë “vendimtarë” për performancën e baterrave, ndërsa elementët e tokave të rralla përdoren për të prodhuar magnetë të fuqishëm që gjenden në turbinat me erë dhe motorët e EV-ve. Rrjetet elektrike kanë gjithashtu nevojë për sasi të mëdha alumini dhe bakri.
Tregu global i elementëve të tokave të rralla po rritet paralelisht me bum-in e energjisë së gjelbër dhe pritet të vlejë mbi 6.5 miliardë euro këtë vit. Kjo e bën ishullin autonom veçanërisht tërheqës për SHBA-në, e cila është 100 për qind e varur nga importet për 12 minerale të konsideruara kritike për ekonominë dhe sigurinë kombëtare nga Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së.
Shfrytëzimi i këtyre burimeve mund ta ndihmojë SHBA-në të ulë varësinë nga Kina, e cila aktualisht përpunon mbi 90 për qind të mineraleve të tokave të rralla në botë, dhe të forcojë pozicionin e SHBA-së ndërsa kërkesa rritet.
Sipas Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), SHBA-ja “nuk mund ta ruajë” udhëheqjen e saj në sigurinë kombëtare, konkurrueshmërinë ekonomike apo qëndrueshmërinë energjetike, për sa kohë mbetet e varur nga kundërshtarë të huaj për mineralet kritike.
Është një problem që Trump ka tentuar ta adresojë që nga mandati i tij i parë. Në mars 2025, ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të marrë “masa të menjëhershme” për rritjen e prodhimit amerikan të mineraleve në “shkallën maksimale të mundshme”.
Presidenti përdori Aktin e Prodhimit të Mbrojtjes për të ofruar kredi që nxisin industrinë vendase të minierave dhe për të reduktuar burokracinë që pengon projektet. Kjo u dha gjithashtu agjencive federale mundësinë të japin përparësi tokave federale për miniera mbi përdorime të tjera.
Vitin e kaluar, Trump nënshkroi gjithashtu një urdhër ekzekutiv që synonte përshpejtimin e minierave në thellësi të detit, si në ujërat amerikane ashtu edhe në ato ndërkombëtare, ndërsa vendi përpiqet të bëhet ajo që e përshkruan si “lider global në shfrytëzimin e përgjegjshëm të mineraleve të shtratit detar”.
Vetëm muajin e kaluar, Departamenti Amerikan i Shtetit arriti një marrëveshje me Republikën Demokratike të Kongos, e cila zotëron mbi 70 për qind të kobaltit botëror. Partneriteti do të rrisë nivelin e investimeve të sektorit privat amerikan në miniera, duke respektuar njëkohësisht “menaxhimin e përgjegjshëm” të burimeve minerare.
A dëshiron Trump të nxjerrë minerale në Groenlandë?
Groenlanda aktualisht nuk ka infrastrukturën e nevojshme për të mbështetur miniera në shkallë industriale. Për shkak të klimës së ashpër, minierat janë të mundshme vetëm për gjashtë muaj në vit.
Analistët vlerësojnë se nxjerrja e mineraleve të Groenlandës do të kushtonte “miliarda mbi miliarda mbi miliarda” dhe do të ishte një makth logjistik.
Siç thekson Nick Bæk Heilmann, bashkëpunëtor i lartë në Kaya Partners, një konsulencë biznesi që operon në Groenlandë, Groenlanda nuk është i vetmi vend me minerale kritike.
“Do të argumentoja fuqishëm se mineralet nuk janë forca shtytëse në kërkimin e SHBA-së për kontroll dhe përvetësim të Groenlandës,” thotë ai. “Kjo sepse Groenlanda është e hapur për investime dhe miniera. Në Groenlandë ekziston një licencë e përgjithshme shoqërore për miniera, gjë që është shumë e rëndësishme. SHBA-ja nuk ka nevojë ta përvetësojë Groenlandën.”
Mineralet kritike shiten gjithashtu me “çmime jashtëzakonisht të ulëta”, çka, sipas Heilmann, e zbeh arsyetimin ekonomik.
A janë mineralet kritike të nevojshme për të përmbushur objektivat klimatike?
Kërkesa për minerale kritike ka shkaktuar shqetësim te grupet klimatike lidhur me ndikimet etike dhe mjedisore të minierave, si në tokë ashtu edhe në shtratin e detit.
Trump ka lëvizur gjithashtu për të përshpejtuar minierat në thellësi të detit. Në prill 2025, ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv që udhëzonte Sekretarin e Tregtisë të “përshpejtojë procesin e shqyrtimit dhe lëshimit të licencave për eksplorimin e mineraleve të shtratit detar dhe lejeve për nxjerrje komerciale në zona përtej juridiksionit kombëtar, sipas Aktit për Burimet Minerare të Forta të Shtratit të Thellë Detar”.
Kjo do të thotë se SHBA-ja ka anashkaluar bisedimet në vazhdim me Autoritetin Ndërkombëtar të Shtratit Detar (ISA) të OKB-së, i cili ka rënë dakord për një moratorium mbi minierat në shtratin e detit në pritje të negociatave.
Muajin e kaluar, Norvegjia shtyu planet për të gërmuar shtratin e detit në kërkim të mineraleve kritike, pasi u bë vendi i parë në botë që i dha dritën jeshile kësaj praktike.
Megjithatë, vendi ka lejuar që rreth 280,000 metra katrorë të ujërave të tij kombëtare – të vendosura midis Svalbardit, Groenlandës dhe Islandës – të hapen eventualisht për mbledhjen e shkëmbinjve që përmbajnë kobalt dhe zink.
Norvegjia ka përsëritur prej kohësh argumentin se këto minerale janë të nevojshme për të udhëhequr një “tranzicion të gjelbër”. Megjithatë, një raport i vitit 2024 i publikuar nga Environmental Justice Foundation konstatoi se minierat në thellësi të detit nuk janë të domosdoshme për një botë pa lëndë djegëse fosile.
Raporti parashikon se një kombinim i teknologjive të reja, ekonomisë rrethore dhe riciklimit mund ta ulë kërkesën për minerale me 58 për qind midis viteve 2022 dhe 2050.
Drejtori ekzekutiv dhe themeluesi i fondacionit, Steve Trent, thotë se minierat në thellësi të detit janë një ndjekje e mineraleve që në fakt nuk na duhen dhe që rrezikojnë dëme mjedisore “që nuk mund t’i përballojmë”.
“Ne dimë kaq pak për oqeanin e thellë, por dimë mjaftueshëm për të qenë të sigurt se nxjerrja e mineraleve atje do të zhdukë jetë të egër unike, do të shqetësojë rezervën më të madhe të karbonit në botë dhe nuk do të bëjë asgjë për të përshpejtuar tranzicionin drejt ekonomive të pastra,” shton ai.
Një perde tymi për plane të tjera?
Ekspertët paralajmërojnë kundër interpretimit të interesit të Trump për Groenlandën kryesisht përmes prizmit të politikës klimatike apo tranzicionit të gjelbër.
Ata argumentojnë se, edhe pse këto minerale kritike janë përmendur shpesh në retorikën amerikane, ato nuk janë nxitësi kryesor pas fokusit të ripërtërirë të presidentit mbi vendin.
“Kjo na lë me nxitësin e fundit, ndoshta më të frikshëm dhe më të rëndësishëm, që është zgjerimi i territorit të SHBA-së, ideja e fatit të paracaktuar (manifest destiny), e cila u përmend gjithashtu në fjalimin e Trump,” thotë Heilmann.
“Ne jemi gjithnjë e më të bindur se ky është nxitësi kryesor, i cili, për Groenlandën, Danimarkën dhe BE-në, është i panegociueshëm.”
Të tjerë theksojnë se, edhe nëse politika klimatike nuk e motivon personalisht Trumpin, ndryshimet mjedisore po riformësojnë kontekstin strategjik në të cilin merren vendimet.
Jakob Dreyer, studiues i politikave të klimës dhe sigurisë në Universitetin e Kopenhagës, argumenton se ngrohja globale dhe tranzicioni i gjelbër po ndryshojnë logjikën ekonomike të Arktikut.
“Nuk mund ta kuptojmë plotësisht këtë dinamikë pa marrë parasysh ngrohjen globale dhe ndikimin e tranzicionit të gjelbër në ekonominë globale,” shpjegon ai. Me Arktikun që po ngrohet tre deri në katër herë më shpejt se mesatarja globale, rritja e temperaturave mund të hapë rrugë të reja detare dhe të ulë barrierat për nxjerrje, ndërsa shtresat e akullit të Groenlandës shkrihen.
Në fund të fundit, siç thekson Dreyer, kjo po “përmirëson arsyetimin ekonomik” si për nxjerrjen e lëndëve djegëse fosile, ashtu edhe për lëndët e para kritike.
“Trump është skeptik ndaj ndryshimeve klimatike,” shton ai, “por këshilltarët e tij nuk janë.”/Përshtati nga Euronews, ekofin.al
