Ndërsa Shqipëria po përballet me një emergjencë kombëtare, shkaktuar nga reshjet e shiut dhe dëborës, të cilat kanë vënë në provë infrastrukturën kritike të vendit, të qëndruarit i lidhur në rrjet nuk është më thjesht një çështje thjesht teknologjike, por një element jetik për sigurinë, koordinimin e ekipeve të emergjencave dhe komunikimin e banorëve të zonave të goditura nga përmbytjet dhe reshjet masive të dëborës.
Mesazhi falenderues i publikuar në rrjetet sociale nga Gentian Bajraktari, Drejtor i Rrjetit në Vodafone Albania, për ekipet që mirëmbajnë antenat dhe infrastrukturën e rrjetit në kushte ekstreme, hedh dritë mbi një realitet shpesh të padukshëm për publikun: lidhja në rrjet është rezultat i një pune të vazhdueshme, fizike dhe teknike, edhe në terrene të vështira, nën shi, borë dhe erë.
Në situata emergjence kombëtare, si ajo që po kalon Shqipëria këto ditë, rrjetet e komunikimit shndërrohen në shtyllë mbështetëse për shërbimet e emergjencës, institucionet publike, bizneset dhe qytetarët. Telefonatat, interneti, sinjalet e të dhënave dhe koordinimi në kohë reale janë elementë që ndikojnë drejtpërdrejt në reagimin ndaj krizave, në informimin e publikut dhe në shmangien e pasojave më të rënda. Pas këtij “normaliteti digjital” që qytetarët presin edhe në kushte ekstreme, qëndrojnë ekipe teknike që operojnë larg vëmendjes, 24/7, duke siguruar që antenat, stacionet bazë dhe lidhjet kritike të mbeten funksionale.
Ky realitet lidhet drejtpërdrejt me politikat afatgjata të investimit në rrjet. Sipas të dhënave që disponon Ekofin.al, vetëm gjatë vitit 2024, Vodafone Albania ka investuar 43.2 milionë euro për rrjetin, duke përfshirë përmirësimin e kapaciteteve, rritjen e qëndrueshmërisë dhe modernizimin e infrastrukturës. Ndërkohë, investimet totale të kompanisë që prej hyrjes në tregun shqiptar në vitin 2001 vlerësohen në rreth 1.3 miliardë euro, një shifër që reflekton angazhim afatgjatë për zhvillimin e telekomunikacionit në vend.
Këto investime janë përkthyer ndër vite në zgjerim të mbulimit, përmirësim të cilësisë së sinjalit, rritje të shpejtësive të internetit dhe në sjelljen e inovacioneve teknologjike që e kanë afruar Shqipërinë me standardet europiane të komunikimit. Por vlera e tyre bëhet më e dukshme pikërisht në momente si këto, kur rrjeti testohet në kushte ekstreme dhe duhet të rezistojë pa ndërprerje apo probleme të mëdha.
Mesazhi i falënderimit për ekipet e terrenit nuk është vetëm një vlerësim njerëzor, por edhe një kujtesë se qëndrueshmëria digjitale kërkon investime të vazhdueshme dhe kapital njerëzor të specializuar. Në një epokë ku digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale janë fjalë kyçe, “të qëndruarit i lidhur” është tashmë pjesë e sigurisë kombëtare të vendit. Dhe në ditë të tilla plot vështirësi, kur moti sfidon gjithçka, ky realitet bëhet më i qartë se kurrë. /ekofin.al




