Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), ka gjetur se nuk janë respektuar rregullat për monitorimin dhe kontrollin e shpenzimeve të rimbursimit të barnave.
Auditimi i veprimtarisë së Sektorit të Kontrollit Parësor rezulton se janë kontrolluar të gjithë mjekët që kanë vlerë rimbursimi vjetor mbi 12,000,000 lekë, ndërsa nuk është kryer asnjë kontroll për 160 mjekë që kanë realizuar vlerë rimbursimi mbi 1,000,000 lekë në muaj. Kjo situatë është në kundërshtim me përcaktimet e Rregullores nr. 3/2014, Kapitulli II, pika 3, germa IV, e cila kërkon kontroll të detyrueshëm për aktivitetin e të gjithë mjekëve që tejkalojnë këtë prag mujor. Konkretisht, në DRF Durrës janë evidentuar 25 mjekë të pakontrolluar, në DRF Elbasan 46, në DRF Shkodër 35 dhe në DRF Tiranë 82 mjekë që nuk i janë nënshtruar kontrollit.
Situata në shërbimin parësor të Tiranës
Në nivelin e shërbimit parësor të Tiranës, nga 13 Qendra Shëndetësore (QSH) të kontrolluara janë evidentuar 197 mjekë që kanë realizuar rimbursim mbi 1,000,000 lekë në muaj, pa përfshirë mjekët në leje të zakonshme. Nga këta, vetëm 82 mjekë janë kontrolluar, ndërsa për 115 mjekë, ose 58.4% e totalit, nuk është ushtruar asnjë kontroll. Këto të dhëna tregojnë një nivel të ulët mbulimi kontrolli pikërisht në zonën me peshën më të madhe të shpenzimeve të rimbursimit.
Sipas sqarimeve të subjektit të audituar, mospërzgjedhja për kontroll e mjekëve që kanë tejkalim mujor mbi 1,000,000 lekë, por që nuk e kalojnë vlerën mesatare vjetore prej 12,000,000 lekësh, lidhet me metodologjinë e përzgjedhjes që bazohet në mesataren vjetore të rimbursimit për çdo mjek dhe me efektin e recetave dy mujore të lëshuara nga mjekët e kujdesit parësor në QSH. Ndërkohë, Rregullorja nr. 3/2014 e ka bazuar kontrollin e detyrueshëm mbi recetën mujore, ndërsa praktika e recetave dy mujore ka filluar të aplikohet pas vitit 2016. Subjekti i audituar theksoi gjithashtu se mbulimi me kontroll i të gjithë mjekëve në rang vendi që realizojnë rimbursim mbi 1,000,000 lekë në muaj është i pamundur për shkak të kapaciteteve të kufizuara të burimeve njerëzore.
Mbulimi i kontrollit në rang kombëtar gjatë vitit 2024
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Kontrollit, gjatë vitit 2024 janë kryer kontrolle në 15 rajone, duke përfshirë 424 mjekë, nga të cilët 379 janë mjekë të kujdesit parësor që lëshojnë receta me rimbursim. Nga gjithsej 1,729 mjekë me kontratë me FSDKSH, janë kontrolluar vetëm 24% e tyre. Paralelisht, janë përfshirë në kontroll 155 Qendra Shëndetësore nga 372 në total, ose 42%.
Sipas raportit, në zbatim të planit vjetor Janar–Dhjetor 2024, kontrollet janë realizuar sipas rajoneve dhe muajve, duke nisur në janar me rajonin Kamëz-Vorë, ku janë kontrolluar 7 QSH, 7 drejtorë dhe 35 mjekë të kujdesit parësor nga 68 gjithsej, ose 51%, të cilët përbënin 73% të shpenzimeve totale të rimbursimit në këtë rajon. Në shkurt, në rajonin Durrës janë kontrolluar 16 QSH, 16 drejtorë dhe 45 mjekë nga 190 gjithsej, ose 23%, me 40% të shpenzimeve të rimbursimit. Në periudhën shkurt–mars, në rajonin Berat janë kontrolluar 32 mjekë nga 66, ose 48%, që përfaqësonin 71% të shpenzimeve. Në mars–prill, rajoni Elbasan ka pasur 46 mjekë të kontrolluar nga 159, ose 28%, me 38% të shpenzimeve. Në maj, në rajonin Tiranë janë kontrolluar 49 mjekë nga 318, ose 15%, që përbënin 30% të shpenzimeve, ndërsa në Gjirokastër janë kontrolluar 22 mjekë nga 45, ose 47%, me 77% të shpenzimeve. Në qershor, në Kukës janë kontrolluar 15 mjekë nga 35, ose 43%, me 70% të shpenzimeve, dhe në Tropojë 6 mjekë nga 11, ose 55%, me 82% të shpenzimeve. Në korrik, rajoni Korçë ka pasur 29 mjekë të kontrolluar nga 63, ose 46%, me 75% të shpenzimeve, ndërsa në shtator në Vlorë janë kontrolluar 28 mjekë nga 79, ose 35%, me 71% të shpenzimeve. Në tetor, në Fier janë kontrolluar 29 mjekë nga 93, ose 31%, të cilët përfaqësonin 81% të shpenzimeve të rimbursimit.
Auditimi konstaton se kjo situatë reflekton mungesë efektiviteti në mekanizmat e planifikimit dhe zbatimit të kontrollit të brendshëm, si dhe mungesë të kapaciteteve të mjaftueshme njerëzore për të mbuluar në mënyrë të plotë dhe sistematike të gjithë subjektet me risk të lartë. Si pasojë, nuk janë përmbushur kërkesat ligjore dhe rregullatore për kontrollin e rimbursimeve, duke rritur ndjeshëm riskun e parregullsive dhe shkeljeve në përdorimin e fondeve publike.
Për këtë arsye, Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon marrjen e masave për forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe përmirësimin e mekanizmave të planifikimit dhe zbatimit të kontrollit të brendshëm. Qëllimi është sigurimi i mbulimit të plotë dhe sistematik të të gjithë mjekëve që kanë vlerë rimbursimi mbi 1,000,000 lekë në muaj, me synim garantimin e përdorimit të drejtë dhe efektiv të fondeve publike për rimbursim. /ekofin.al
