Shqipëria hedh një tjetër hap të rëndësishëm drejt integrimit të plotë në tregun digjital europian me projektligjin e ri për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 54/2024 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”. Projektligji, i hedhur për konsultim publik, synon përafrimin e mëtejshëm të kuadrit rregullator shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Europian, veçanërisht me rregullat që lidhen me BEREC dhe roaming-un me BE-në, duke mundësuar uljen e paralajmëruar të tarifave gjatë vitit 2026.
Në thelb, ndryshimet synojnë forcimin e rolit të AKEP si autoritet rregullator në një treg gjithnjë e më ndërkufitar, si dhe krijimin e bazës ligjore për zbatimin e parimit “Roam Like At Home” (RLAH) mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Një nga shtyllat kryesore të projektligjit është rritja e nivelit të përfshirjes së Shqipërisë në strukturat e BEREC, organi europian i rregullatorëve të komunikimeve elektronike. Ndryshimet ligjore parashikojnë pjesëmarrje të plotë të AKEP në punët e Bordit të Rregullatorëve dhe Bordit të Menaxhimit të BEREC, si dhe detyrimin për të marrë maksimalisht në konsideratë udhëzimet, opinionet dhe praktikat më të mira të këtij organi europian gjatë marrjes së vendimeve rregullatore.
Në rastet kur AKEP devijon nga qëndrimet e BEREC, projektligji kërkon arsyetim të qartë dhe të dokumentuar, veçanërisht për çështje që kanë ndikim ndërkufitar në tregun europian të komunikimeve elektronike.
Projektligji vendos për herë të parë në mënyrë eksplicite mekanizmin ligjor për rregullimin e roaming-ut midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Rregullimi do të realizohet përmes një kuadri të harmonizuar, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, bazuar në rregulloret përkatëse të BE-së për roaming-un në rrjetet publike të komunikimeve elektronike.
AKEP ngarkohet me përgjegjësinë për të miratuar nivelin maksimal të tarifave të roaming-ut, rregullat e përdorimit të drejtë (“fair use”), në përputhje me standardet europiane dhe marrëveshjen dypalëshe Shqipëri–BE.
Një risi tjetër e rëndësishme lidhet me tarifat e terminimit të thirrjeve zanore. Projektligji parashikon që tarifat e terminimit për thirrjet kombëtare dhe ato që janë me origjinë nga shtetet anëtare të BE-së të mos tejkalojnë tarifën maksimale të vetme të përcaktuar në nivel europian (eurotarifa), si për rrjetet fikse ashtu edhe për ato të lëvizshme.
Në rast se Komisioni Europian heq tarifat maksimale, AKEP do të kryejë analiza të tregut dhe do të vendosë tarifa të bazuara në kosto, sipas metodologjisë LRIC dhe kritereve të përcaktuara në ligj.
Moszbatimi i vendimeve të AKEP për rregullimin e roaming-ut përfshihet tashmë shprehimisht në listën e shkeljeve administrative. Ndërkohë, hyrja në fuqi e dispozitave që lidhen me roaming-un dhe tarifat e terminimit është e kushtëzuar me datën e dakordësuar në marrëveshjen dypalëshe Shqipëri–BE. /ekofin.al
