Shqipëria mbetet ende larg standardeve europiane në financimin e kërkimit shkencor dhe zhvillimit. Sipas publikimit më të fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT), për vitin 2024 fondet e alokuara nga buxheti i shtetit për aktivitetet e Kërkimit Shkencor dhe Zhvillimit (GBARD) përbënin vetëm 0,3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, një nivel i ulët krahasuar me vendet e Bashkimit Europian dhe objektivat afatgjata të integrimit.
Ky botim shënon publikimin e parë zyrtar të statistikave kombëtare mbi fondet buxhetore për K&Zh, të përpunuara sipas standardeve të Manualit Frascati 2015 të OECD-së, duke vendosur një bazë të re transparence dhe krahasueshmërie ndërkombëtare për politikat e inovacionit në vend.
Universitetet përfitojnë pjesën më të madhe të financimit
Sipas të dhënave të INSTAT, Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) janë përfituesit kryesorë të fondeve publike për kërkimin shkencor, duke marrë 54,7% të totalit të fondeve të alokuara në vitin 2024. Ato ndiqen nga sektori qeveritar, i cili përthithi 43,8%, ndërsa sektori privat jofitimprurës mbetet pothuajse simbolik me vetëm 1,5% të financimit total.
Kjo strukturë tregon se kërkimi shkencor në Shqipëri mbetet kryesisht i përqendruar në institucionet publike dhe universitare, me një përfshirje shumë të kufizuar të aktorëve të tjerë të ekosistemit të inovacionit.
Fokus i fortë në kërkimin bazë universitar
Analiza sipas objektivave socio-ekonomike (NABS 2007) tregon se mbi gjysmën e fondeve publike për K&Zh janë orientuar drejt objektivit “Përmirësimi i përgjithshëm i njohurive: Kërkim dhe zhvillim i financuar nga fondet e përgjithshme universitare (FPU)”, i cili zë 52,6% të fondeve gjithsej.
Kjo do të thotë se prioriteti kryesor i financimit publik në vitin 2024 ka qenë kërkimi bazë dhe zhvillimi akademik, ndërsa sektorë të tjerë strategjikë – si energjia, teknologjia industriale, shëndetësia, bujqësia apo transporti – kanë marrë pjesë shumë më të vogla të fondeve.
Struktura e fondeve sipas objektivave NABS
Grafiku i publikuar nga INSTAT tregon një shpërndarje të fragmentuar të fondeve për objektiva të tjerë socio-ekonomikë, ku përfshihen edukimi dhe formimi i njohurive, sistemet politike dhe shoqërore, mjedisi dhe energjia, shëndetësia dhe bujqësia, teknologjia dhe prodhimi industrial, transporti, telekomunikacioni dhe infrastruktura, si edhe mbrojtja dhe fusha të tjera.
Megjithatë, asnjë prej këtyre sektorëve nuk i afrohet peshës së kërkimit universitar në totalin e financimit publik.
Metodologji e harmonizuar me standardet europiane
INSTAT thekson se të dhënat GBARD janë mbledhur dhe përpunuar në përputhje me udhëzimet e OECD-së dhe klasifikimin NABS 2007, duke përfshirë si financimin e projekteve kërkimore, ashtu edhe financimin institucional. Të dhënat lidhen me alokimet buxhetore dhe jo me shpenzimet faktike në fund të vitit, çka lejon një lexim më të qartë të prioriteteve të politikave publike.
Publikimi i këtyre statistikave për herë të parë përbën një hap të rëndësishëm drejt monitorimit të politikave të inovacionit dhe përafrimit me praktikat e Bashkimit Europian, në një kohë kur kërkimi shkencor konsiderohet një nga shtyllat kryesore të rritjes afatgjatë dhe konkurrueshmërisë ekonomike./ekofin.al

