Një debat i fortë po qarkullon në rrjetet sociale mbi atë që po quhet gjithnjë e më shpesh “quiet purge” e brezit Gen Z nga kompanitë – një pastrim i heshtur, pa zhurmë, por me pasoja reale për tregun e punës.
Sipas kësaj narrative, gjithnjë e më shumë biznese po distancohen nga punonjësit e rinj jo përmes pushimeve masive, por duke mos i mbajtur, duke mos i promovuar ose duke mos i zëvendësuar më.
Një nga arsyet kryesore lidhet me atë që në zyra po etiketohet si “iPad Kid Syndrome/Sindroma e fëmijëve të iPad”. Sipas këtij këndvështrimi, të rinjtë e rritur me cikle të shpejta dopaminë dhe shpërblime të menjëhershme kanë vështirësi të përballojnë monotoninë e punës së përditshme.
Në një realitet ku rreth 80% e punës është rutinë, pa “likes” apo duartrokitje, mungesa e vlerësimit të menjëhershëm interpretohet si toksicitet, duke çuar shpejt në lodhje dhe dorëzim. Ndryshe nga brezat e mëparshëm, që thjesht “e kryenin punën”, kjo diferencë po shihet si problem strukturor.
Një tjetër pikë kritike është toleranca e ulët ndaj vlerësimeve. Kritika konstruktive, sipas këtij debati, po perceptohet gjithnjë e më shpesh si sulm personal apo mikroagresion. Kompanitë raportojnë lodhje nga nevoja për të “ecur mbi lëvozhga vezësh”, ku menaxherët shpenzojnë më shumë kohë duke zbutur fjalët sesa duke drejtuar projektet. Në këto raste, zgjidhja e zgjedhur është eliminimi i burimit të konfliktit.
Transformimi teknologjik ka shtuar edhe një dimension tjetër: delegimin e mendimit te inteligjenca artificiale. Punëdhënësit vërejnë se stafi i ri shpesh dorëzon raporte të përkryera të gjeneruara nga ChatGPT, por nuk arrin të shpjegojë përmbajtjen në një takim. Kjo ka krijuar figurën e “proxy workers” – punonjës që funksionojnë si ndërmjetës të mjeteve digjitale, pa mendim kritik të pavarur. Pyetja që lind është brutale: nëse puna bëhet nga një bot, pse të paguhet një rrogë njerëzore?
Një tjetër problem i theksuar është besnikëria transaksionale. Kultura e “ghosting-ut”, e njohur nga aplikacionet e takimeve, sipas këtij rrëfimi është zhvendosur nga Tinder në Zoom. Punonjës që nuk paraqiten ditën e parë të punës ose që largohen me një mesazh të shkurtër po bëhen gjithnjë e më të zakonshëm. Por tregu, thuhet, është ciklik: kompanitë kanë nisur të vendosin “shenja të zeza” ndaj atyre që e trajtojnë kontratën e punës si një sugjerim të paqartë.
Në këtë kontekst, fituesit po quhen “Analog Zoomers” – të rinjtë që dallohen për aftësi bazike, por gjithnjë e më të rralla: të marrin telefonin, të zgjidhin konflikte pa shpërthime emocionale, të mbajnë kontaktin me sy dhe të përballojnë vlerësim të ashpër pa u fshehur pas ekranit.
Sipas këtij këndvështrimi, në vitin 2025, këto aftësi po i çojnë automatikisht individët në elitën e 1%-shit që rekrutuesit kërkuan me ngulm.
Mesazhi përfundimtar është i drejtpërdrejtë: tregu i punës nuk e fal më infantilizmin. Ose rritesh profesionalisht, ose zëvendësohesh nga një rrjet neural – i cili, siç thuhet me ironi, nuk ankohet kurrë për lodhje.
Dhe pyetja që mbetet pezull është po aq e thjeshtë sa shqetësuese: a është bërë vërtet më e vështirë për të sapodiplomuarit të gjejnë punën e tyre të parë?
