Deri në fund të nëntorit 2025, Shqipëria ka regjistruar gjithsej 11.77 milionë hyrje të shtetasve të huaj, me një rritje vjetore prej 6.6% krahasuar me janar–nëntor 2024. Të dhënat konfirmojnë vijimin e një fluksi të lartë hyrjesh në vend, të mbështetur kryesisht nga tregjet evropiane dhe udhëtimet për qëllime personale, duke konsoliduar rolin e Shqipërisë si destinacion turistik dhe lëvizës rajonal gjatë gjithë vitit.
Vetëm në muajin nëntor 2025, në territorin e Republikës së Shqipërisë kanë hyrë 1,282,118 shtetas shqiptarë dhe të huaj, ose 1.4% më shumë se në të njëjtin muaj të një viti më parë. Në të njëjtën periudhë, nga vendi kanë dalë 1,322,499 shtetas, me një rritje më të fortë prej 3.7% në bazë vjetore, çka tregon intensifikim të lëvizjeve ndërkufitare në të dy drejtimet.
Hyrjet e shtetasve të huaj në nëntor arritën në 629,968 persona, duke shënuar një rritje prej 4.2% krahasuar me nëntor 2024. Ndërkohë, hyrjet e shtetasve shqiptarë ranë në 652,150, ose 1.3% më pak se një vit më parë. Në nivel kumulativ, për periudhën janar–nëntor 2025, hyrjet totale në Shqipëri arritën në 19.45 milionë, me një rritje prej 6.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Në anën e daljeve, gjatë nëntorit 2025, 677,065 shtetas shqiptarë rezultojnë të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, me një rritje vjetore prej 7.5%. Daljet e shtetasve të huaj ishin 645,434, pothuajse të pandryshuara krahasuar me një vit më parë. Në total, për 11-mujorin 2025, daljet nga vendi arritën në 19.58 milionë, ose 8.3% më shumë se një vit më parë.
Struktura gjeografike e hyrjeve të shtetasve të huaj mbetet dukshëm evropiane. 96% e hyrjeve në nëntor 2025 kanë ardhur nga Evropa, ku peshën kryesore e mban Evropa Jugore, me 86% të hyrjeve nga kontinenti evropian. Pas saj renditen Evropa Perëndimore me 5%, si dhe Evropa Qendrore/Lindore dhe Evropa Veriore me nga 4% secila. Në terma absolutë, gjatë janar–nëntorit 2025, nga Evropa kanë hyrë mbi 11.2 milionë shtetas të huaj, duke konfirmuar varësinë e flukseve turistike nga tregjet evropiane.
Sa i përket qëllimit të udhëtimit, 97% e hyrjeve të shtetasve të huaj në nëntor 2025 janë realizuar për qëllime personale, kryesisht pushime, vizita familjare dhe qëndrime të shkurtra. Kjo kategori është rritur me 4.5% krahasuar me nëntor 2024. Brenda saj, hyrjet për pushime dhe vizita familjare u rritën me 4.1%, ndërsa udhëtarët transit shënuan një rritje më të fortë prej 18.1%. Në të kundërt, hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale ranë me 3.6% në nivel mujor, ndonëse në nivel vjetor (janar–nëntor) kjo kategori shënon rritje dyshifrore.
Të dhënat, sipas INSTAT dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, tregojnë se flukset e lëvizjes së shtetasve në Shqipëri gjatë vitit 2025 kanë qenë të qëndrueshme dhe në rritje, me theks të fortë te hyrjet turistike nga Evropa dhe dominimin e udhëtimeve për qëllime personale, duke e çuar vendin drejt një tjetër viti rekord në numër vizitorësh./ekofin.al
