Autoriteti italian i konkurrencës ka gjobitur Apple-in, Apple Distribution International dhe Apple Italia me 98 milionë euro për shfrytëzim të “pozitës së dominancës absolute” përmes App Store, duke e akuzuar kompaninë se u ka vendosur barrë të padrejtë zhvilluesve të aplikacioneve me rregullat e saj të gjurmimit.
Rregullatorët thanë se Apple ka abuzuar me dominancën e saj në tregun e shpërndarjes së aplikacioneve për iOS, duke imponuar rregullat e App Tracking Transparency që rëndojnë padrejtësisht zhvilluesit e palëve të treta.
Autoriteti konstatoi se Apple i detyroi zhvilluesit të kërkonin pëlqim të dyfishtë nga përdoruesit për të dhënat e reklamimit — duke shkuar përtej asaj që kërkon ligji për privatësinë — duke minuar modelet e biznesit të bazuara në reklama pa sjellë përfitime proporcionale për privatësinë.
Ky dyfishim, sipas Autoritetit Antitrust, “sjell mungesë proporcionaliteti në rregullat e politikës ATT, pasi Apple duhej të garantonte të njëjtin nivel privatësie për përdoruesit duke u ofruar zhvilluesve mundësinë për të marrë pëlqimin për profilizim në një hap të vetëm”.
Vendimi vjen pas një hetimi të gjatë, të kryer në koordinim me Komisionin Evropian dhe autoritetin italian për mbrojtjen e të dhënave personale, Garante per la Protezione dei Dati Personali, i cili shqyrtoi ndikimin e kornizës App Tracking Transparency të Apple-it.
Vëmendja ndaj kësaj politike është shtuar në të gjithë Evropën: në mars, autoriteti francez i konkurrencës e gjobiti Apple-in me 150 milionë euro, duke konstatuar se mënyra se si ishte zbatuar funksioni vendoste një barrë të pajustifikuar mbi zhvilluesit e aplikacioneve, pa qenë rreptësisht e nevojshme për mbrojtjen e privatësisë së përdoruesve.
App Tracking Transparency, e prezantuar nga Apple në vitin 2021, kërkon që aplikacionet e shpërndara përmes App Store të kërkojnë leje të qartë nga përdoruesit, përmes një dritareje standarde pop-up, përpara se të gjurmojnë aktivitetin në aplikacione dhe faqe të tjera interneti.
Nëse leja refuzohet, zhvilluesit humbasin aksesin në të dhëna që zakonisht përdoren për reklama të targetuara.
Autoritetet e konkurrencës kanë ngritur shqetësime se ky sistem, i imponuar njëanshmërisht nga Apple, mund të dëmtojë zhvilluesit e palëve të treta dhe ndërmjetësit e reklamimit, ndërkohë që Apple vazhdon të përfitojë nga biznesi i vet i reklamimit brenda ekosistemit iOS./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
