Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka hedhur për konsultim projektvendimin që përcakton rregullat e detajuara për organizimin dhe funksionimin e Regjistrit Elektronik për Gazet Serrë të Fluoruara, produktet dhe pajisjet përkatëse që regjistrohen, detyrimet e sipërmarrësve për raportim, si dhe nivelet e aksesueshmërisë së këtij regjistri.
Sipas projektvendimit, Regjistri Elektronik për Gazet Serrë të Fluoruara do të jetë pjesë e bazës së të dhënave shtetërore të Sistemit të Integruar Mjedisor (SIM), ndërsa Administratori i regjistrit do të jetë Agjencia Kombëtare e Mjedisit.
Dhënës të informacionit do të jenë prodhuesit, importuesit dhe sipërmarrësit e hidrofluorokarboneve dhe/ose pajisjeve të parambushura me këto gaze, ndërsa si subjekte të interesuara me akses përdorues parashikohen ministria përgjegjëse për mjedisin, Njësia Kombëtare e Ozonit, strukturat inspektuese në fushën e mjedisit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Projektvendimi parashikon që të gjithë prodhuesit, importuesit dhe sipërmarrësit të regjistrojnë në Regjistrin Elektronik të Gazeve Serrë të Fluoruara, nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”, duke përdorur shërbimin “Regjistri Elektronik për Gazet Serrë të Fluoruara”, brenda datës 31 mars të vitit vijues, për sasinë e prodhuar, dhe të importuar, për gazet serrë të fluoruara për vitin e kaluar dhe të dhënat.
Afatet e regjistrimit ndryshojnë sipas aktivitetit: nga data e hyrjes në fuqi të vendimit për sipërmarrësit që importojnë ose prodhojnë gaze në sasi më shumë se 500 ton CO₂ ekuivalent në vit, dhe një vit pas hyrjes në fuqi për sipërmarrësit që importojnë ose prodhojnë produkte apo pajisje që përmbajnë ose funksionojnë me gazet serrë të fluoruara.
Në regjistër do të hidhen si të dhëna parësore ashtu edhe të dhëna dytësore. Të dhënat parësore përfshijnë informacion të detajuar për pajisjet dhe produktet, si emërtimi, modeli dhe numri serial, emërtimi industrial ose kimik i gazit, sasia e gazit të përmbajtur në kilogramë dhe në CO₂ ekuivalent, GWP-ja sipas ligjit nr. 2/2023, kategoria e pajisjes, të dhënat e importit apo prodhimit përfshirë numrin e deklaratës doganore, si dhe sasia e prodhuar, e importuar, e eksportuar për vitin paraardhës dhe sasia stok e magazinuar.
Të dhënat dytësore do të merren përmes ndërveprimit me bazat e tjera shtetërore të të dhënave, duke përfshirë Regjistrin Tregtar, Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Autorizimeve, sistemin e të dhënave doganore për deklaratat e importit dhe Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile për gjeneralitetet e individëve.
Projektvendimi thekson se përpunimi i të dhënave personale dhe ndërveprimi me bazat e tjera shtetërore do të bëhet në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale, duke garantuar integritetin, konfidencialitetin, gjurmueshmërinë dhe auditimin periodik të sistemit.
Në lidhje me detyrimet e raportimit, sipërmarrësit do të duhet të deklarojnë në regjistër të gjitha të dhënat për gazet serrë të fluoruara dhe për produktet apo pajisjet që përmbajnë këto gaze, të cilat prodhohen, importohen, eksportohen ose vendosen në treg në Shqipëri.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit do të hartojë raportin e detajuar për gazet serrë të fluoruara, i cili do të jetë pjesë integrale e raportit vjetor për gjendjen e mjedisit
Vendimi parashikohet të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa efektet lidhur me detyrimet për raportim do të fillojnë pas vënies në funksion të sistemit elektronik për gazet serrë të fluoruara./ekofin.al
