Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi punimet në segmentin e dytë të aksit Palasë – Dhërmi, i cili pritet të hapet për qarkullimin e automjeteve brenda pak ditëve.
“Këtu punohet me ritme të shpejta pasi ne duam që ta hapim gjatë këtij sezoni. Ka një presion shumë të madh nga pushuesit. Sigurisht se kur ti shikon një rrugë të shtruar ku ti mund të kalosh dhe mendon se duhet të bësh gjithë kurorën nga sipër, por ne duhet të përfundojmë dhe gjithçka duhet të jetë në parametrat e duhur të sigurisë rrugore, kështu që do të duhet pak durim, por rëndësi ka që e kemi këtë rrugë totalisht të hapur”, deklaroi Balluku.
Balluku u ndal dhe te ndikimi social i këtij aksi rrugor për banorët e zonës.
“Duhet thënë që këtu ka qenë paksa e vështirë, duke pasur parasysh që ka pronat e bregdetit, kanë një rëndësi të veçantë për pronarët e truallit dhe presin që ti zhvillojnë ato. Kështu që është dashur një bashkëpunim i mirë me banorët e zonës për të pasur mirëkuptimin e tyre dhe mos kishim pengesa dhe për të thënë të drejtën, këtu situata është zgjidhur në mënyrën më të mirë me bashkëpunim dhe mirëkuptim me gjithë banorët e zones, pasi ata kanë kuptuar që kjo vepër i jep një vlerë tjetër pronës së tyre dhe i jep një vlerë tjetër të gjithë bregdetit të jugut”, deklaroi zv/kryeministrja.
Sipas Ballukut, kjo rrugë lidhet dhe me daljen e tunelit të Llogorasë.
