Shumica e përdoruesve të agjentëve të inteligjencës artificiale janë shumë të arsimuar, nga vende të pasura dhe punojnë në teknologji ose në fusha me intensitet të lartë njohurish, zbulon një studim i ri.
Miliona njerëz po përdorin agjentë të inteligjencës artificiale (AI) për mësim ose produktivitet në jetën e tyre personale, në atë që studiuesit e konsiderojnë si studimin e parë mbi adoptimin e tyre.
Agjentët e AI funksionojnë si asistentë online që mund të planifikojnë dhe ekzekutojnë detyra komplekse me pak mbikëqyrje njerëzore, bazuar në kërkesën e përdoruesit. Në vitin 2025, shumë nga kompanitë më të mëdha të AI në botë – përfshirë Amazon, Google, Microsoft dhe OpenAI – lançuan ose zgjeruan asistentët e tyre digjitalë.
Një studiues nga Universiteti i Harvardit bashkëpunoi me një prej këtyre kompanive, Perplexity AI, për të analizuar të dhënat nga shfletuesi i startup-it dhe asistenti digjital Comet, i lansuar në korrik 2025.
Studiuesit analizuan qindra milionë kërkesa për të kuptuar se si po përdorej agjenti dhe publikuan gjetjet e tyre – të pa rishikuara ende nga kolegët – online këtë javë.
Studiuesit klasifikuan përdoruesit bazuar në profesionin e tyre dhe mënyrat se si ata zakonisht e përdornin agjentin.
Sipas tyre, njerëzit që e filluan përdorimin e agjentëve të AI herët, si dhe përdorues nga vende më të pasura dhe më të arsimuara, kishin më shumë gjasa të “adoptonin ose përdornin në mënyrë aktive agjentin”.
Mbi 70% e përdoruesve punonin në fusha digjitale ose në profesione me intensitet të lartë njohurish, për shembull në akademi, financë, marketing ose sipërmarrje, zbuloi studimi.
Fushat me më pak përdorues të agjentëve të AI ishin ato që “kërkojnë ndërveprim me mjedisin fizik”, si energjia dhe bujqësia, thuhet në studim.
36% e të gjitha detyrave të ngarkuara te një agjent AI konsideroheshin detyra “produktiviteti dhe fluksi pune”, si krijimi ose përpunimi i dokumenteve, filtrimi i email-eve, përmbledhja e informacionit të investimeve ose krijimi i ngjarjeve në kalendar.
Detyrat e dyta më të zakonshme kishin të bënin me “mësim dhe kërkim shkencor”, me 21% të kërkesave që i kërkonin agjentit të përmbledhte materiale kursesh ose informacione kërkimore.
Detyra të tjera të shpeshta përfshinin ndihmën me blerjet, udhëtimet dhe kërkimet e lidhura me punën.
Përdoruesit kërkonin më shumë ndihmë nga agjentët e tyre të AI për jetën personale sesa për atë profesionale: 55% e pyetjeve lidhen me jetën jashtë orarit të punës, krahasuar me 30% që lidhen me punën. Ndërkohë, 16% e kërkesave lidhen me arsimin.
Studimi tregoi se mënyra se si njerëzit e përdornin agjentin AI evoluoi me kalimin e kohës. Përdoruesit që nisnin me detyra të thjeshta personale – si udhëtimet apo rekomandimet mediatike – gradualisht kalonin drejt kërkesave më të ndërlikuara lidhur me produktivitetin, mësimin dhe karrierën.
