Administrata Trump ka paraqitur një propozim të ri që kërkon nga turistët e 42 vendeve të përjashtuara nga viza – përfshirë Britaninë, Francën, Gjermaninë, Australinë dhe Japoninë – të zbulojnë pesë vite të aktivitetit të tyre në rrjetet sociale si kusht për të hyrë në SHBA. Përveç kësaj, aplikantët duhet të dorëzojnë numrat e telefonit të përdorur gjatë pesë viteve të fundit, adresat e emailit të përdorura në dhjetë vitet e fundit, si dhe të dhëna të detajuara biometrike si fytyra, gjurmët e gishtërinjve, ADN-ja dhe të dhënat e irisit. Kërkohen gjithashtu të dhënat identifikuese të anëtarëve të familjes, përfshirë fëmijët.
Sipas CBP, këto masa janë të nevojshme për të zbatuar urdhrin ekzekutiv të nënshkruar nga Donald Trump në ditën e parë të mandatit të tij, i cili kërkon që vizitorët të mos mbajnë “qëndrime armiqësore” ndaj Shteteve të Bashkuara. Ndryshimet pritet të ndikojnë drejtpërdrejt procesin e aplikimit në sistemin ESTA dhe të krijojnë barriera të reja për udhëtimin ndërkombëtar.
Ekspertët e turizmit paralajmërojnë se masa mund të krijojë trazira të mëdha për Kupën e Botës 2026, të cilën SHBA e bashkë-organizon me Kanadanë dhe Meksikën, pasi Fifa pret miliona vizitorë. Rënia e turizmit drejt SHBA-së është tashmë e dukshme: Kalifornia parashikon një rënie 9% të vizitave ndërkombëtare, Hollywood Boulevard ka pësuar një rënie 50% të trafikut gjatë verës, ndërsa Las Vegas raporton tkurrje të fortë të vizitorëve, e përkeqësuar nga zgjerimi i platformave të basteve online. Edhe Kanadaja ka raportuar rënie të madhe në udhëtimet drejt SHBA-së, me zbritje të vizitave me makinë me 36.9% dhe udhëtimeve me avion me 25.8%.
Ndërkohë, administrata ka vendosur tarifa të reja që e kanë bërë turizmin më të shtrenjtë, përfshirë një pagesë shtesë prej 100 dollarësh në ditë për vizitorët e huaj që duan të hyjnë në parqet kombëtare amerikane, si dhe heqjen e hyrjes falas në Ditën e Martin Luther King Jr – ndërkohë që ajo mbetet falas për rezidentët amerikanë në ditëlindjen e Trump.
Propozimi ka hapur debat të gjerë mbi privatësinë dhe lirinë e shprehjes. Grupet e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se kërkesat e reja do të çojnë në vetëcensurë dhe rrezikojnë të shndërrojnë SHBA-në në një shtet gjithnjë e më autoritar. Fire, një organizatë për mbrojtjen e lirisë së fjalës, ka kritikuar ashpër planin, duke thënë se nuk është sjellja e një vendi “të sigurt për liritë e tij”.
Këto masa vijnë në një kontekst të gjerë të ashpërsimit të politikave të vizave. Administrata Trump tashmë ka urdhëruar kontrollimin e qëndrimeve “anti-amerikane” në aplikimet për viza, ka vendosur tarifa prej 100,000 dollarësh për vizat H1-B, ka kërkuar që studentët e huaj të hapin llogaritë e tyre në rrjetet sociale dhe ka arrestuar studentë për postime pro-palestineze. Po ashtu, është sugjeruar reduktimi i vizave për gazetarët e huaj nga 5 vjet në 8 muaj dhe kërkesa për pagesë prej 250 dollarësh për vizitorët nga vendet që nuk janë pjesë e programit pa viza.
Kritikët paralajmërojnë se këto politika rrezikojnë të përkeqësojnë më tej situatën gjatë Kupës së Botës, duke rritur rrezikun e profilizimit racor, ndalimeve arbitrare dhe tensioneve në kufi./Përshtati nga The Guardian, ekofin.al
