Pas katër dekadash në të cilat turistëve u është shitur si “tax-free” një proces që në të vërtetë ofron një rimbursim të ngadalshëm dhe të pjesshëm të TVSH-së, fintech-u spanjoll STAMP po fushaton për të përmbysur modelin, në mënyrë që vizitorët nga vendet jashtë BE-së të mos e paguajnë fare taksën në arkë.
Sistemi i ngathët i rimbursimit të taksës, që vetëquhet “pa taksa”, po sfidohet nga kompania fintech STAMP. Firma ka nisur një fushatë që synon të kufizojë pagesën e TVSH-së nga turistët në momentin e blerjes, duke nxitur një debat në sektorin e turizmit dhe tregtisë me pakicë mbi nevojën e një reformimi të të gjithë sistemit.
Ashtu si shumë vende të BE-së, edhe Spanja vazhdon të përdorë termin “tax-free” për shërbime që në praktikë funksionojnë si rimbursime të shtyra të TVSH-së për turistët jashtë BE-së. Edhe pse ky etiketim shfaqet gjerësisht në dyqane, vizitorët paguajnë shumën e plotë për artikullin. Më pas marrin mbrapsht vetëm një pjesë të taksës kur largohen nga vendi, duke iu nënshtruar proceseve të verifikimit dhe ndërhyrjes së ndërmjetësve.
Ky mekanizëm e ka origjinën në vitet 1980, kur kufizimet teknologjike dhe administrative nuk lejonin verifikimin në kohë reale të mallrave që dilnin nga vendi. Shitësit nuk mund të siguronin se një mall i blerë në Spanjë do të dilte realisht jashtë kufijve të saj dhe kështu të trajtohej si eksport, i përjashtuar nga TVSH-ja spanjolle dhe ajo e BE-së.
Spanja priti rreth 94 milionë turistë ndërkombëtarë në vitin 2024, me një shpenzim total mbi 126 miliardë euro. Në gjysmën e parë të vitit 2025, numri i turistëve ka qenë edhe më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, vetëm një pjesë e vogël e këtij konsumi përfundon në sistemin e rimbursimit të TVSH-së, pasi jo të gjitha blerjet janë të pranueshme. Ekspertët e industrisë sugjerojnë gjithashtu se shumë vizitorë heqin dorë për shkak të kompleksitetit, mungesës së informacionit ose perceptimit se përfitimi final është i kufizuar.
Rreth 80% e volumit që menaxhohet vjen nga sektori i luksit, duke lënë jashtë bizneset e vogla e të mesme që mund të përfitonin nga një stimul tatimor i dobishëm si instrument tregtar.
Një proces i rëndë
Sipas Abel Navajas, CEO i fintech-ut STAMP, problemi nuk qëndron tek rregulloret, por tek “një sistem i vjetër që krijon një përvojë të ngadaltë dhe konfuzuese për turistët”. Pavarësisht dixhitalizimit të shtuar, kërkesa për rimbursim ende nënkupton pagesën fillestare të TVSH-së, plotësimin e formularëve dhe ndërhyrjen e operatorëve që aplikojnë komisione.
Në vitin 2019, procesi i rimbursimit u digjitalizua plotësisht përmes DIVA, përmes së cilit konsumatori merr një dokument elektronik rimbursimi në dyqan dhe e verifikon atë në kioskat DIVA në aeroport ose port para largimit. Por edhe me DIVA, vizitori vazhdon të paguajë TVSH-në paraprakisht dhe duhet të bashkëveprojë me një operator si Global Blue, Planet ose PieVAT për të marrë realisht paratë mbrapsht. Me komisionet e shtuara, turisti zakonisht rikuperon vetëm 40% deri në 60% të taksës.
Në kushtet e një konkurrence ndërkombëtare në rritje, ku qytetet spanjolle po synojnë të rrisin ofertën e tyre turistike dhe të shitjeve, propozime si ai i STAMP shfaqen si një mënyrë për të modernizuar ofertat “tax-free” të Spanjës.
Sipas start-up-it, kjo qasje ka disa përfitime: së pari, turisti i merr kursimet menjëherë, dhe biznesi e di paraprakisht koston e shërbimit, duke e përdorur atë si mjet shitjeje. Gjithashtu, ky stimul e bën më të lehtë pjesëmarrjen për çdo lloj dyqani, jo vetëm për shitësit e luksit./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
