Studentët e mjekësisë që do të regjistrohen në vitin e parë, do të jenë të detyruar të punojnë 5 vite pas mbarimit të studimeve për të marrë diplomën. Ky vendim është bërë publik sot nga kreu i qeverisë Edi Rama i cili shpjegoi për mediat se nuk është kusht por është formati i ri i universitetit të ri të mjekësisë për sa i përket marrjes së diplomës.
“Çdo student i mjekësisë që do të hyjë në universitetin e mjekësisë do të duhet paraprakisht të njihet me faktin që studimet i ka aq sa janë dhe për t’u pajisur me diplomë do duhen dhe 5 vite në shërbim të këtij populli. Për ata në proces vitet janë më të ulëta, të përshkallëzuara, por është absolutisht zgjedhja e tyre. Nuk është vetëm një zgjedhje. Për ata që do hyjnë në vitin e parë ka vetëm një zgjedhje. Nëse do duhet të studiojnë mjekësi në universitetin publik do duhet të pranojnë këtë kusht. Nuk është një kusht, por është formati i ri i universitetit të ri të mjekësisë për sa i përket marrjes së diplomës. Nuk ndryshon asgjë në thelb për të drejtën e ushtrimit të profesionit sepse ajo bëhet menjëherë pasi mbaron studimet, por këtu. Për këtë paguan populli taksa”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama theksoi se populli shqiptar nuk mund të paguajë taksa për mjekët që formohen me tarifa simbolike dhe në universitet që mbahet nga taksat e tyre, të ikin që ditën e parë.
“Ama nuk iu ndalohet e drejta atyre që janë në universitet, që të largohen në rastet kur duhen. Por duhet të paguajnë një tarifë tjetër, e cila do të përcaktohet sipas ligjit, që mbulon kostot dhe nevojën që ka universiteti për të formësuar një student”, deklaroi Rama.
Ky projektligj ka lidhje me mbulimin e nevojave që ka vendi për mjekë, shpërndarjen e tyre më të mirë në të gjithë vendin dhe frenimin e largimit të tyre drejt vendeve të tjera. Aktualisht Shqipëria ofron kujdes shëndetësor me 1.9 mjekë për 1 mijë banorë, edhe pse duket e vështirë për shkak të largimit të mjekëve drejt vendeve të BE , brenda vitit 2030 Kryeministri ka kërkuar të arrihet në 2,5 mjekë për 1 mijë banorë.
