Gjysma e territorit të Shqipërisë, 13 mijë e 416 km 2 është monitoruar rregullisht nga Satelitët Albania 1, Albania 2, duke ofruar informacione të vlefshme për institucionet si zjarret, përmbytjet, ndërtimet pa leje apo dhe evidentimin e territoreve ku mbillet Kanabisi. Kryeministri Edi Rama bëri me dije se dy satelitëve Albanian 1 dhe 2 i janë shtuar edhe 8 të tjerë për të sjellë imazhe më të qarta pa asnjë kosto shtesë, të ofruara nga Kompania Hapësinore. Sipas Ramës monitorimi me satelit e bën të pamundur korrupsionin.
“Përpos atyre 2 satelitëve kemi edhe 8 të tjerë pa asnjë kosto. Kemi një bazë të leximit të territorit sipas nevojës së dikastereve. Ajo hartë e bën të pamundur abuzimin me territorin e përmbytur. E bën të pamundur korrupsionin” tha Rama.
Duke e vënë theksin tek digjitalizim i shërbimeve të Kadastrës Kryeministri ka paralajmëruar se nga sektori i Kadastrës do të ketë dorëheqje nga ata që kanë qëndruar në punë padrejtësisht.
“Dje më çonte një screenshoot të një bisedë me një drejtor, që fliste për një dosje. Ai thoshte: si të ndihmoj unë mor vëlla kur në pronat tona na del Bulqiza e Gramshit dhe jo të qytetet e tyre dhe se po iknin punonjësit. Po ata ndoshta ikin se nuk iu vjen ndonjë copë e majme. Kjo është mundësi e madhe për të gjithë ata të rinj të shkolluar që të shërbejnë për shtetin, me paga konkurruese për tregun, siç do të jenë ato të Kadastrës. E kam shumë të qartë se në Kadastër do të na lirohen shumë vende të zëna padrejtësisht.”, u shpreh kryeministri.
Një thirrje e pati edhe për ekspertët e IT të cilët i ftoi të punonin në shtet me paga konkurruese.
Nga 3 korriku, nuk do të ketë asnjë sportel të Kadastrës pasi çdo shërbim do digjitalizohet. Janë 71 shërbime të kadastrës që do të merren online përmes platformës ‘E Albania” duke nisur kështu reformën e Kadastrës.
