Autoriteti i Konkurrencës pritet të publikojë me afrimin e periudhës festive një njoftim për monitorimin e çmimeve të produkteve të shportës, një praktikë tashmë e përsëritur prej vitesh në prag të festave të fundvitit. Ashtu si çdo dhjetor, institucioni pritet të njoftojë vendosjen nën vëzhgim të çmimeve bazë të produkteve ushqimore për periudhën më të ndjeshme të vitit, me synimin për të frenuar rritjet artificiale dhe për të parandaluar praktikat abuzive të tregtarëve.
Por, sipas një verifikimi të kryer nga Ekofin.al, kjo procedurë e përvitshme, megjithëse e rëndësishme në parim, rrallëherë është shoqëruar me rezultate konkrete që publikohen për opinionin publik. Në vitet e kaluara, pas njoftimeve zyrtare të Autoritetit nuk janë pasuar raporte të detajuara mbi gjetjet e monitorimit: sa inspektime janë kryer, cilat subjekte janë kapur në shkelje, çfarë masash janë marrë apo sa gjoba janë vendosur. Kjo mungesë transparence ka bërë që njoftimet e përvitshme të kthehen më shumë në një formalitet sesa në një instrument real mbrojtjeje për konsumatorët.
Ndërkohë, raportimet që Ekofin ka marrë nga qytetarët tregojnë se manovrat me çmimet në tregun ushqimor kanë nisur tashmë. Rasti i bërë publik kohët e fundit në media, ku një supermarket i rrjetit Big Market kishte ekspozuar një çmim në raft dhe faturonte një tjetër në kasë, është vetëm një shembull i praktikave që dëmtojnë konsumatorin dhe që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.
Në situata të tilla, nuk është vetëm Autoriteti i Konkurrencës që duhet të reagojë. AKU, inspektoratet e tregut dhe strukturat e tjera të financuara nga taksat e qytetarëve duhet të jenë po aq të pranishme, të shpejta dhe të bashkërenduara për të siguruar një mbrojtje reale të konsumatorëve, veçanërisht në periudhën më të ngarkuar të vitit.
Nëse institucionet duan të rikthejnë besimin e publikut dhe të tregojnë efektivitet, njoftimet që pritet të publikohen këto ditë duhet të shoqërohen me angazhim real, transparencë dhe rezultate të matshme, jo vetëm me paralajmërime të përgjithshme që përsëriten prej vitesh. /ekofin.al



