Në Konferencën Ndërkombëtare ICEBIT 2025, organizuar nga Fakulteti i Ekonomisë i Universitetit të Tiranës, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë solli një vizion të qartë mbi rolin që inovacioni, teknologjia dhe specializimi inteligjent do të luajnë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Në fjalën e tij përpara rektorit, trupës akademike, studiuesve dhe studentëve, ai theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment kyç ku politika publike, dijet shkencore dhe transformimi digjital duhet të bashkohen për të ndërtuar një ekonomi moderne, elastike dhe konkurruese.
Transformimi digjital, prioritet kombëtar
Guvernatori nënvizoi se epoka e re teknologjike ka shndërruar digjitalizimin nga një opsion, në bazën e zhvillimit ekonomik. Sipas tij, inteligjenca artificiale, automatizimi dhe shërbimet digjitale krijojnë mundësi reale për rritje produktiviteti, ulje kostosh dhe zgjerim të bizneseve në tregje të reja.
Për vendet në zhvillim si Shqipëria, teknologjia ofron një mundësi unike për të kapërcyer kufizimet strukturore dhe për të rritur transparencën dhe efikasitetin në ekonominë reale dhe atë financiare. “Kjo kërkon investime jo vetëm në infrastrukturë digjitale, por edhe në kapital human, arsim dhe kërkim shkencor”, theksoi ai.
SEPA, një hap historik për ekonominë dhe tregtinë shqiptare
Një nga pikat kryesore të fjalës së tij ishte integrimi i Shqipërisë në SEPA, Tregun Unik të Pagesave në Euro, i cili ka hyrë në fuqi më 7 tetor 2025. Sipas Guvernatorit, kjo arritje strategjike përkthehet në pagesa më të shpejta dhe më të lira drejt Evropës, rritje të sigurisë dhe standardeve të shërbimeve financiare; mundësi të zgjeruara për tregti, e-commerce dhe investime; ntegrim më të fortë të Shqipërisë me infrastrukturën financiare të BE-së
Ai theksoi se po vijohet puna me partnerët ndërkombëtarë për të modernizuar sistemet e brendshme të pagesave, duke përgatitur terrenin për pagesa të menjëhershme 24/7, rritje të përdorimit të pagesave elektronike dhe reduktim të përdorimit të parasë fizike.
Inovacioni në politikën monetare dhe stabilitetin financiar
Guvernatori zbuloi se Banka e Shqipërisë po përforcon përdorimin e modeleve të avancuara statistikore dhe të analizës së të dhënave për parashikimin e inflacionit, identifikimin e rreziqeve sistemike, mbledhjen dhe digjitalizimin e statistikave, rritjen e transparencës në komunikimin publik.
Këto instrumente moderne synojnë të garantojnë një politikë monetare më të saktë dhe një sistem financiar më të qëndrueshëm, në një ekonomi që po ndryshon me ritme të shpejta.
Roli i universiteteve në ekonominë e së ardhmes
Universiteti i Tiranës, veçanërisht Fakulteti i Ekonomisë, u cilësua si një nga qendrat kryesore të dijes ekonomike në vend. Guvernatori e vlerësoi lart kontributin e akademisë në kërkimin shkencor, nxitjen e start-up-eve, laboratorët e inovacionit, partneritetet ndërkombëtare, si dhe përgatitjen e profesionistëve të rinj për ekonominë digjitale dhe tranzicionin e gjelbër.
Ai theksoi se bashkëpunimi mes institucioneve publike dhe universiteteve nuk është më një alternativë, por një domosdoshmëri. “Në një ekonomi që aspiron të bëhet inteligjente dhe e integruar, partneritetet akademi–institucione janë çelësi i rritjes së qëndrueshme dhe i krijimit të mundësive për të rinjtë”, u shpreh Guvernatori.
Thirrje për më shumë bashkëpunim dhe inovacion
Në mbyllje të fjalës, ai nënvizoi se konferenca si ICEBIT 2025 janë platforma ku lindin ide të reja dhe ku ndërtohen partneritete që ndikojnë drejtpërdrejt në politikat ekonomike. Ai shprehu bindjen se kontributet e studiuesve dhe ekspertëve në këtë aktivitet do të ndihmojnë në ndërtimin e praktikave më të mira për ekonominë shqiptare dhe atë evropiane.
