Shqipëria po kthehet në atraksion turistik për tregun gjerman. Në vitin 2022, numërohen mbi 188 mijë vizitor gjerman të cilët zgjodhen Shqipërinë për të kaluar pushimet e tyre, tendencë kjo që vazhdon edhe këtë vit.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka deklaruar se “jehona e prezantimit të Shqipërisë në ITB Berlin, panairin më të madh të turizmit në botë, vazhdon të ngjallë interes”.
Përmes rrjeteve sociale Kumbaro ka dhënë detaje edhe nga takimi i zhvilluar një ditë më parë në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit me një përfaqësi të anëtarëve të Shoqatës së Tour-Operatorëve gjermanë (DRV), kryesuar nga Presidenti Norbert Fiebing.
Ministrja ka bërë të ditur se 83% e kapaciteteve turistike janë tashmë të rezervuara për vitin 2023 në Shqipëri.
Vizita disa ditore e përfaqësuesve më të lartë të Shoqatës së Tour – Operatorëve gjermanë (DRV), dhe drejtues të Agjencive Turistike u organizua nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, të cilët erdhën në Shqipëri të nxitur nga interesi i lartë i turistëve gjermanë për të parë nga afër potencialin e madh turistik që ofron vendi ynë.
Të shoqëruar nga Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela, Tour – Operatorët gjermanë vizituan mjediset e Shkollës së Mesme Profesionale “Salih Ceka” në qytetin e Elbasanit ku u pritën nga Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja. Ai e vlerësoi këtë investim të rëndësishëm të qeverisë shqiptare në bashkëpunim edhe me donacione të qeverisë zvicerane dhe gjermane, ku studiojnë 600 nxënës, ndër ta, 200 në degën Hoteleri – Turizëm si dhe në kabinetet e rrobaqepësisë, vendosjes së paneleve diellore, atyre foto voltaike, termo-hidraulikës.
Mes rivierës së bukur shqiptare dhe trashëgimisë kulturore, përmes sugjerimeve të destinacioneve kryesore të Agjencisë Kombëtare të Turizmit udhëtimi vijoi në Gjirokastrën e UNESCO-s me një shëtitje në Qafën e Pazarit, në sokaket e bukura me kalldrëm, ndalesat në Muzeun Etnografik, shtëpinë e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, ku miqtë nga Gjermania u pritën nga Kryetari i Bashkisë Z. Flamur Golemi. Në kalanë e Argjirosë, Tour – Operatorët gjermanë shijuan ritmet dhe tingujt e Festivalit Folklorik Kombëtar.
Më pas vizita në Butrint, pasuri e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s la përshtypje mahnitëse tek Tour – Operatorët gjermanë, të cilët e konsideruan këtë sit arkeologjik të Shqipërisë si një ofertë elitare për turistët gjermanë.
Në përfundim të vizitës në Shqipëri, Shoqata e Tour – Operatorëve gjermanë zhvilloi edhe një takim me disa prej drejtuesve të Shoqatave të Tour – Operatorëve dhe hotelierë shqiptarë, të cilët prezantuan shërbimet në disa prej hoteleve në bregdetin e Golemit në Durrës. Ata shprehën interes për të bashkëpunuar me Shoqatën e Tour – Operatorëve gjermanë me qëllim promovimin e Shqipërisë turistike.
