Ndotja e ajrit mbetet një nga kërcënimet mjedisore më vdekjeprurëse në Evropë, pavarësisht përmirësimeve të viteve të fundit.
Ndotja e ajrit është lidhur me mijëra vdekje të parandalueshme në Bashkimin Evropian, edhe pse cilësia e ajrit ka shënuar një përmirësim “të konsiderueshëm”.
Një raport i ri nga European Environment Agency (EEA) zbulon se mes viteve 2005 dhe 2023, vdekjet e parakohshme të atribuuara ndaj grimcave të imëta ranë me 57%. Megjithatë, nivelet e pasigurta të ndotjes së ajrit shkaktuan ende 182,000 vdekje vetëm në vitin 2023.
Sërish, 95% e europianëve urbanë janë të ekspozuar ndaj niveleve të ndotjes së ajrit “dukshëm” mbi rekomandimet e vendosura nga World Health Organization (OBSH).
Sipas EEA-së, ndotja e ajrit mbetet rreziku kryesor mjedisor për europianët, duke tejkaluar faktorë të tjerë si zhurma, ekspozimi ndaj kimikateve apo valët e të nxehtit të lidhura me ndryshimet klimatike.
Çfarë janë grimcat e imëta (PM2.5)?
Të njohura ndryshe si PM2.5, grimcat e imëta janë particela shumë të vogla në ajër me diametër 2.5 mikrometra ose më pak.
Nëse thithen, ato mund të shkaktojnë ose përkeqësojnë probleme shëndetësore si astma, sëmundja ishemike e zemrës dhe kanceri i mushkërive. Dëshmitë e reja sugjerojnë se nivelet e larta të PM2.5 mund të shkaktojnë edhe demencë.
PM2.5 vjen kryesisht nga burime njerëzore si emetimet e automjeteve, djegia e lëndëve të ngurta, freskuesit e ajrit dhe proceset industriale, përfshirë prodhimin. Ajo mund të vijë edhe nga “burime natyrore” si zjarret në pyje, të cilat po bëhen më të shpeshta nga ndryshimet klimatike.
Cili vend i BE-së u godit më fort nga ndotja e ajrit?
Sipas vlerësimit të ndikimit shëndetësor të cilësisë së ajrit, Italia pësoi humbjen më të madhe në vitin 2023, me 43,083 vdekje të atribuuara ndaj përqendrimeve të larta të PM2.5.
Kjo përkthehet në 100.6 vdekje për 100,000 banorë në rrezik. Po ashtu, janë llogaritur 407,949 vite jetë të humbura (YLL) – një tregues shëndetësor që mat mesataren e viteve shtesë që një popullatë do të mund të kishte jetuar nëse personat nuk do të kishin vdekur si pasojë e një sëmundjeje apo grupi sëmundjesh.
Pas Italisë renditet Polonia me 25,268 vdekje, ndërsa Gjermania është e treta me 21,640 vdekje.
Megjithatë, ndikimet relative më të larta (vite jetë të humbura për 100,000 banorë mbi 30 vjeç) janë vërejtur në vendet e Evropës Juglindore, si Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria.
Në kontrast të plotë, Islanda nuk regjistroi asnjë vdekje nga ndotja e ajrit, ndërsa raporti i atribuoi vetëm 34 vdekje në Finlandë nga ekspozimi afatgjatë ndaj PM2.5.
Ndikimet më të ulëta relative u shënuan në vendet e Evropës veriore dhe veriperëndimore, si Suedia, Estonia dhe Norvegjia.
Rregullat e reja të BE-së për cilësinë e ajrit
Raporti i EEA-së thekson nevojën urgjente për uljen drastike të ndotjes së ajrit, në përputhje me Direktivën e rishikuar për Cilësinë e Ajrit të Ambientit, e cila hyri në fuqi më 10 dhjetor 2024.
Ligji përgjysmon më shumë se vlerën e lejuar vjetore për PM2.5, duke i afruar standardet e BE-së për vitin 2030 me rekomandimet e OBSH-së. Ai gjithashtu mbështet autoritetet vendore në forcimin e monitorimit dhe modelimit të cilësisë së ajrit dhe përmirëson planet për menaxhimin e ndotjes.
“Çdo vit, ajri i ndotur shkakton rreth 250,000 vdekje të parakohshme dhe i kushton ekonomisë së BE-së deri në 850 miliardë euro,” deklaroi vitin e kaluar Komisionerja për Mjedisin, Qëndrueshmërinë e Ujit dhe Ekonominë Qarkulluese, Jessika Roswall.
“Aktet e reja për cilësinë e ajrit do të përmirësojnë cilësinë e jetës për miliona europianë dhe do të mbrojnë më tej biodiversitetin dhe ekosistemet, duke nxitur njëkohësisht edhe ekonominë.”
Roswall shtoi se direktiva e re përfaqëson një “moment historik” drejt kthimit të ndotjes së ajrit në “një çështje të së kaluarës”./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
