Enti për Shtetësinë dhe Imigracionin i SHBA-së (USCIS) ka pezulluar përkohësisht të gjitha aplikimet për azil. Ky vendim vjen si rrjedhojë e kërkesës së Presidentit Donald Trump për një politikë më të rreptë ndaj emigracionit , pas të shtënave me armë ndaj dy ushtarëve të Gardës Kombëtare në Uashington. Vendimet për azilin do të pezullohen “derisa të sigurohemi që çdo shtetas i huaj të verifikohet dhe të shqyrtohet sa më tërësisht që të jetë e mundur”, shpjegoi Drejtori i USCIS-së, Joseph Edlow.
Ministri i Jashtëm i SHBA-së, Marco Rubio, njoftoi gjithashtu se SHBA-të kanë ndaluar përkohësisht lëshimin e vizave për të gjithë shtetasit afganë. Ai theksoi se për SHBA-në “nuk ka përparësi më të lartë, sesa mbrojtja e kombit dhe popullit tonë”.
Ushtarja e Gardës Kombëtare vdes pas sulmit
Të mërkurën (26.11.) u qëlluan me armë dy ushtarë të Gardës Kombëtare vetëm pak blloqe larg Shtëpisë së Bardhë. Njëra nga viktimat, një gardiste 20-vjeçare, vdiq nga plagët e marra, kurse viktima e dytë, një gardist 24-vjeçar, është në gjendje kritike, njoftoi Prokurorja e Shtetit të Uashingtonit Jeanine Pirro.
I dyshuari për vrasje është arrestuar. Ai është nga Afganistani. 29 vjeçari kishte qenë pjesë e një “force partnere” të mbështetur nga CIA, që luftonte talebanët në Afganistan dhe erdhi në Shtetet e Bashkuara si pjesë e një programi për mbrojtjen e bashkëpunëtorëve pas tërheqjes ushtarake të amerikanëve nga Afganistani në vitin 2021.
Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së Pam Bondi, tha se do të kërkojë dënimin me vdekje kundër afganit, dhe e quajti atë “përbindësh”./DW
